Rukiqi: Ligji për Pagat krijon një dallim të madh mes sektorit publik dhe privat

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tha se Ligji për Pagat krijon një dallim të madh mes sektorit publik dhe privat.
Rukiqi në një konferencë për media, u shpreh se është shqetësuese për sektorin privat pasi që një shumë e madhe e buxhetit shkon për paga e skema sociale dhe se sektori privat ende mbetet me pagën mesatare tejet të ulët.
“Për sektorin privat është shqetësuese si kemi ardhur tek një politikë që 1.4 miliard e buxhetit i lë për paga dhe skema sociale. Në asnjë rast shpenzimi i tillë i buxhetit nuk është as stimulues dhe as fuqizues i rritjes ekonomike të qëndrueshme, mund të arrijë konsumin për një fazë të qëndrueshme, por është rritje e njëhershme dhe krijon diskrepancë të madhe mes sektorit privat dhe publik”, tha Rukiqi.
Ai tha se nuk mund të ketë rritje ekonomike të qëndrueshme në bazë të kësaj politike që po bëhet.
“Burim i rritjes ekonomike është konsumi dhe investimet publike, konsumi nga diaspora dhe investimet shkojnë në infrastrukturën rrugore”, tha ai.
Rukiqi foli edhe për ndikimin e taksës 100 për qind, ku tha se ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendas dhe se është rritur gatishmëria e prodhuesve për të investuar.
Në fund, ai i ftoi bizneset që të shfrytëzojnë mekanizmin për mbrojtjen e interesave të tyre përmes zyrës e cila ndodhet në Kuvendin e Kosovës.