Rusia në gjendje alarmi, vendos flotën e saj ushtarake në Detin e Zi

Rusia ka vënë në gjendje alarmi flotën e saj ushtarake në Detin e Zi, si pasojë e stërvitjeve ushtarake të NATO-s që kanë nisur mëngjesin e të hënës në zonën jugperëndimore. Moska konfirmoi se çdo gjë është gati për një reagim sa më të shpejtë.

Agjencia ruse e lajmeve Tass, konfirmoi se Rusia ka vendosur flotën e Detit të Zi, anijet ushtarake të sulmit dhe sistemet raketore në bregdet, në gjendje alarmi. Vendimi është marrë në lidhje me stërvitjet ushtarake të NATO-s në Detin e ZI. Agjencia ruse e lajmeve citon dhe ministrin rus për mbrojtjen kombëtare, i cili ka konfirmuar lajmin.

Qendra e kontrollit për sigurinë kombëtare ruse raportoi se flota ushtarake në detin e zi ka marrë një sërë masash për të monitoruar anijet e NATO-s në mënyrë që të jetë e përgatitur për të reaguar sa më shpejt në ndonjë situatë të mundshme emergjente.

Qendra gjithashtu konfirmoi se stërvitja e NATO-s ka nisur në pjesën jugperëndimore të Detit të Zi, mëngjesin e të hënës me anije dhe avionë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Kanadaja, Holanda, Rumania dhe Turqia. Njëkohësisht marrin pjesë dhe përfaqësues të forcave të armatosura të Gjeorgjisë dhe Ukrainës./abcnews.al