Rusia po bën gjithçka për t’i penguar vendet e Ballkanit për t’u antarësuar në BE e NATO

Shteti që udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin po shpenzon miliarda rubla në shtetet e Ballkanit, duke tentuar ta pengojë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Madje ekspertët amerikanë alarmojnë se Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Kosovës e Serbisë, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e shtetit më të ri në Evropë dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Rusia e ka rikthyer fuqimisht vëmendjen ndaj vendeve të Ballkanit dhe për këtë qëllim Kremlini po harxhon miliarda rubla në Mal të Zi, në Maqedoni, në Shqipëri, në Serbi, në Kosovë dhe në Greqi. Ky është alarmi që jepet nga ekspertët vendorë dhe ata amerikanë për gazetën “Zëri”, duke potencuar faktin se shteti të cilin e udhëheq Vladimir Putin është i motivuar nga antiamerikanizmi, anti-NATO dhe anti-Bashkim Evropian (BE).

Në vitin 2016 Rusia kishte tentuar organizimin e një grusht shteti në Mal të Zi, duke planifikuar vrasjen në atë kohë të kryeministrit Milo Gjukanoviq, për ta parandaluar hyrjen e saj në NATO. Vitin e kaluar ajo u përpoq ta bllokojë zgjidhjen e çështjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, duke ditur se zgjidhja do të rezultojë me anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancën Veriatlantike.

Ndërsa midis Kosovës dhe Serbinë, sipas ekspertëve, Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e Kosovës dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale.

Lini një Përgjigje