Rusia zbaton dënime për ofendime ndaj shtetit

Zyrtarët shtetërorë rusë kanë miratuar të enjten një propozim ligj, me të cilin hyjnë në zbatim kufizimet për mediat në Internet dhe parashihen dënime për çdokënd që e ofendon shtetin.

Sipas propozim ligjit, dënimet që do të hyjnë në zbatim kanë të bëjnë me publikimin e materialeve, të cilat kanë përmbajtje ofenduese ndaj shtetit, simboleve dhe organeve të saj. E në rast të përsëritjes së veprimit parashihet një dënim prej 15 ditësh burgim, ka raportuar “Al-Jazeera”.

Dhoma e Ulët e Parlamentit rus ka miratuar ligjin në leximin e fundit, të tretë. Duma ka miratuar po ashtu një ligj të veçantë, i cili e parandalon publikimin e “lajmeve të rreme” nëpërmjet Internetit, për të cilat konstatohet se përbëjnë kërcënim për shëndetin dhe sigurinë publike. Pritet që propozim ligji së shpejti të miratohet edhe në Dhomën e Lartë të Parlamentit dhe pas kësaj ta marrin nënshkrimin e presidentit, Vladimir Putin.

Kritikët e konsiderojnë propozim ligjin si pjesë të përpjekjes së Kremlinit për ngufatjen e kritikës dhe zgjerimin e kontrollit mbi mediat. Valeriy Garting, i partisë së Drejtë të Rusisë, ka kritikuar propozimin, duke pretenduar se miratimi i tij hapë rrugën për interpretim selektiv. Ky propozim, ndër të tjera, e ndalon përhapjen e informacioneve të pabazuara me rëndësi shoqërore dhe që mund të rrezikojnë jetë si dhe shëndetin publik, të rrisin shkallën e kërcënimit për sigurinë dhe rendin apo ta pengojnë funksionimin normal të komunikacionit dhe infrastrukturës shoqërore.

Zyrtarët e Qeverisë, ndryshe përpiluesit e propozim ligjit, kanë bërë të ditur se masat janë të domosdoshme për mbrojtjen e shtetit.

“Nuk bëhet fjalë për censurë. Nuk po ndalohet kritika ndaj zyrtarëve apo shprehja e mendimit që ndryshon prej qëndrimit zyrtar”, ka thënë zëvendësshefi i Këshillit për politikat informative në Duma, Sergey Bojarski.