Sadiku: “Duam 6 pikët, mezi po pres të kthehem te goli”

Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e para eliminatore për “Euro 2020” me Turqinë dhe Andorrën.

Te Kuqezinjtë, pas një kohe të gjatë, është kthyer sulmuesi Armando Sadiku, i cili vuajti një dëmtim të rëndë me futbollistin që nuk e fshehu gëzimin e tij.

Sadiku shprehu besimin e tij për marrjen e rezultateve pozitive në këto dy ndeshje.

“Jam rikthyer pas 1 viti. Jam i lumtur, me energji dhe pozitivitet. Mezi po pres të jap më të mirën time dhe të kthehem te goli”, u shpreh Sadiku.

“Kemi treguar që nëse luajmë si grup marrim rezultatet pozitive”.

“Ka munguar goli, shpresoj që me rikthimin tim të arrij të shënoj dhe të marrim atë që të gjithë shqiptarët presin”.

“Kur vjen me Kombëtaren është diçka tjetër. Është një ndjenjë që e ke përjetuar që fëmijë. Është një gjë shumë e veçantë”, shtoi ai.

“Nuk e di kush është Durmishaj. Nuk e njoh. Thjesht kam lexuar disa lajme. Ka shumë lojtarë cilësorë brenda ekipit. Ka emra më të mirë se ne”.

“Pavarësisht se kemi fituar, kjo nuk do të thotë se do e nënvlerësojmë kundërshtarin. Do jemi të karikuar për të përsëritur atë ndeshje. Ishalla me ndihmën e Zotit marrim 6 pikë. Edhe me 4 pikë do ishim të kënaqur”, deklaroi Armando Sadiku, futbollist i Kombëtares.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Turqisë në 22 mars në Loro Boriçi të Shkodrës, më pas do të udhëtojë drejt Andorrës ndaj së cilës do të luajë më 25 mars.