SBASHK: Kompensimi i orëve bëhet vetëm nëse MASHT tërheq vendimin

0
260

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj vazhdon të mos heqë dorë nga qëndrimet e tij në lidhje me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.

Jasharaj në një prononcim për RTV 21 tha se kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse MAShT e tërheq vendimin për mënyrën e kompensimit të tyre. “Ne e kemi thënë shumë qartë se Këshilli Drejtues do të mblidhet dhe do të vendosë për orët e humbura vetëm nëse Ministria e Arsimit e tërheq vendimin që është në fuqi, përndryshe do të presim deri në vendimin e gjykatës për formën e kompensimit.

Mësimi nuk do të mbahet këtë të shtunë”, tha Jasharaj për kallxo. Javën e kaluar në Komisionin parlamentar për Arsim ishin ballafaquar përfaqësues të SBASHK-ut dhe MASHT-it për të gjetur një zgjidhje për zëvendësimin e këtyre orëve, mirëpo as aty nuk u gjet një gjuhë e përbashkët mes palëve.

Aty u vendos që këtë javë SBASHK të mbledh Këshillin Drejtues dhe kështu të gjendet një zgjidhje. Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte deklaruar se do të marrin masa nëse do të mundohen ta ndalojnë procesin e kompensimit të orëve.