SBASHK-u kundërshton vendimin e MASHT-it për zëvendësimin e orëve

SBASHK-u përmes një reagimi për media thotë se nuk e njeh si të ligjshëm Vendimin e Ministrit Shyqiri Bytyqi, lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së punëtorëve arsimor.

“Nga fakti se si ky vendim është i njëanshëm e pa as edhe një konsultë paraprake  me SBASHK-un, e aq më tepër kur dje kishim  takim me Ministrin Bytyqi, në prani te Drejtores së përgjithshme te Internacionales Botërore të Arsimit për regjionin e Evropën dhe nuk është thënë  asgjë lidhur me këtë çështje”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

SBASHK thekson me t’u publikuar në faqen zyrtare të MASHT ky vendim do të ngris padi në gjykatë ndaj këtij vendimi, i cili sipas tyre, bie ndesh me Ligjin mbi grevat  dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë duke kërkuar nga gjykata  masën e përkohshme,për suspendimin e përkohshëm të këtij vendimi  deri në shqyrtimin  përfundimtar dhe vendimin meritor të gjykatës.

“Deri atëherë  u bëjmë apel Drejtorive Arsimore në komunat e Kosovës  që të mos caktojnë orare për zëvendësimin e orëve  të humbura në grevë  sepse vendimi  i Ministrit të  MASHT-it është i kontestueshëm. SBASHK po ashtu u drejtohet punëtorëve në tërë Arsimin e Kosovës të mos zbatojnë vendimin  për zëvendësimin e orëve  deri në vendimin  përfundimtar e meritor   të gjykatës gjegjëse lidhur me këtë çështje”, thuhet në fund të reagimit.