SBASHK-u: Nga 8 prilli mund të hyjmë përsëri në grevë të përgjithshme

Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se partia që udhëheq me Ministrinë e Arsimit po mundohet që grevën ta hedhin në taborin politik.

Ymeri, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka falënderuar deputetët e LDK-së, pasi sipas tij jo që kanë mbështetur SBASHK-un por kanë qenë parimor në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Menaxheri për financa në SBASHK ka thënë se pavarësisht presioneve as 10% e shkollave nuk kanë mbajtur mësim ditëve të shtuna. Ai thotë se edhe në shkollat që është mbajtur mësimi numri i nxënësve ka qenë shumë i ulët.

Ymeri ka thënë se do të presin vendimin e gjykatës për çështjen e zëvendësimit të orëve. Sipas tij edhe ashtu Ligji i punës nuk i obligon mësimdhënësit që të bëjnë zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ai ka kritikuar edhe deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiu, që sipas tij në Kuvend ka qenë e zëshme në kritika ndaj SBASHK-ut.

“Nëse ajo i ka dashur nxënësit, pse ka braktisur sektorin e arsimit dhe është bërë deputete?!”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Menaxheri për financa në SBASHK ka kërcënuar për një grevë tjetër në arsim nëse sipas tij vazhdohet me presione për zëvendësim të mësimit të humbur ditëve të shtuna.

“Nëse vazhdohet me presion, ne do ta mbledhim Këshillin Drejtues dhe do të vendosim për grevë nga 1-5 prill me qëllim që të mos humbet mësimi pasi nxënësit janë në pushim. Kërkesa jonë do të jetë tërheqja e vendimit të Ministrit dhe përgjegjësia e atyre që e kanë pru në këtë situatë. Përndryshe, nëse brenda javës nuk merret përgjegjësia, SBASHK-u do të vazhdojë grevën dhe do të humbin edhe ditë të tjera mësimi”, tha ndër të tjera Ymer Ymeri.

Lini një Përgjigje