SBASHK-u proteston në Kamenicë, kërcënon edhe me grevë të përgjithshme

Për të kundërshtuar riorganizimin e mësimit në disa shkolla, me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të organizohet protestë, të hënën, para objektit të Komunës së Kamenicës.

Kreu i kësaj komune ka vendosur tash e disa javë që në shkollat në të cilat ka pak nxënës të ketë riorganizim të mësimit, ku nxënësit do të bartën me transport publik në shkolla të tjera. Fillimisht në fazën e parë, nga 6 shkolla, mësimi do të organizohet në vetëm 2 prej tyre. Sindikata e Arsimit është duke e kundërshtuar këtë vendim, me ç’rast ka thirrur protestë për sot (e hënë), duke nisur nga ora 12 e 30.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se nuk do të lejojnë mbylljen e asnjë shkolle në Kamenicë. Ka paralajmëruar se nëse edhe pas protestës tentohet të mbyllet ndonjë shkollë, mund të ketë greva në të gjithë Kosovën.

“Është një ide e paanalizuar mirë, të cilën nuk do ta pranojmë. Ne kemi kuptuar se fillimisht do të mbyllen shkollat e fshatrave, Busavat, Krilevë, Tugjevc dhe Strezoc e më pas do të vazhdohet me të tjerat. Mësimdhënësit atje kanë kërkuar që fillimisht të niset më protesta e nëse tentohet sërish mbyllja e shkollave do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut dhe do të diskutohet çështja e grevës në nivel vendor”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut, shkruan sot Koha Ditore.