SBASHK-u vjen edhe me një reagim, pasi disa komuna paralajmëruan se mësimi fillon nesër

0
730
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vendimet e disa komunave për rifillim të procesit mësimor të hënën nuk përfaqësojnë qëndrimin e mësimdhënësve.
Ai ka deklaruar se greva do të vazhdojë edhe në këto komuna.
“Kryetarët e komunave kanë dalë me këto deklarata, mirëpo për këtë vendosin mësimdhënësit e Kosovës dhe të punësuarit e tjerë në tërë sistemin arsimor. Komunikimin e kemi të vazhdueshëm, të gjithë do të jenë nesër në grevë”, ka thënë Jasharaj për kallxo.com.
Ai ka mohuar se ka përçarje në SBASHK.
“S’kemi përçarje, nuk besoj që do të ketë. Greva është legjitime dhe nuk besoj se do të ketë luhatje kurrsesi”, ka shtuar ai.
Dy komuna të drejtuara nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj, Deçani e Juniku, paralajmëruan sonte se nesër do të fillojë procesi mësimor.
Edhe Komuna e Mamushës paralajmëroi fillimin e gjysmëvjetorit të dytë nesër, më 21 janar.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sonte se është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave prej 20 milionë eurosh në vit për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar.
Ka një rritje substanciale të pagave, tha Haradinaj, duke theksuar se për këtë rritje janë dakorduar të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare.