Së shpejti pritet takimi i radhës i Ekipit Negociator në Bruksel

0
226
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot i ka dorëzuar raportin që ndërlidhet me dialogun dy bashkëkryesuesve të Ekipit Negociator, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit. Pas takimit me presidentin, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj në një konferencë për media bënë të ditur se çka përmban ky raport.
Ahmeti ka thënë se ky raport është zyrtarisht një raport i përditësuar për delegacionin shtetëror mbi fazën përfundimtare të dialogut. Ai ka bërë të ditur se në këtë raport të presidencës është raportuar mbi temat që janë diskutuar, si tema e të zhdukurve, trashëgimia kulturore, pronat, të drejtat e minoriteteve e tjera.
“Nuk ka draft-marrëveshje, sipas presidencës. Kjo na u konfirmua.”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu, bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se përmes këtij raporti janë konfirmuar se kanë ndodhur 3+1 takime, e i katërti nuk ka ndodhur për shkak se pala serbe është tërhequr për shkak të taksës.
Ndër tjerash, Ahmeti ka thënë se nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin, qoftë me republikën e Serbisë. Ndërsa për fund ka bërë të ditur se takimi i radhës në Bruksel do të zhvillohet së shpejti.
Ndërkaq, Fatmir Limaj ka thënë se në këtë takim është diskutuar vetëm për dialogun, nuk kanë diskutuar për temat tjera. Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, ka thënë se i kanë pasur disa pyetje për presidentin, por që nuk i kanë bërë publike për mediat./21Media/