Seanca e grushteve: Bislimi, Lushtaku, Haxhiu e Beqaj pranojnë që lënda të shkojë në ndërmjetësim

Me pajtim të palëve në procedurë, lënda ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës, ka shkuar në ndërmjetësim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu tha se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mergim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, u pajtua që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

Deklarimet e avokatëve të tyre i mbështetën edhe katër të akuzuarit.

Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim u pajtua edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

Më pas, gjykatësi Eroll Gashi tha se gjykata merr vendim që kjo çështje penale të shkojë në procedurë ndërmjetësimi, e nëse arrihet marrëveshja, do të hedhet poshtë aktakuza.

Por, në rast se nuk arrihet marrëveshja në ndërmjetësim, gjykatësi tha se procedura do ta vazhdojë ku ka mbetur në gjykatë.

Fillimisht, para pauzës për konsultim rreth procedurës së ndërmjetësimit, mbrojtësja e të akuzuarit Mërgim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli deklaroi se nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës përkundër kërkesës së parashtruar në Prokurori, përveç aktakuzës së pranuar nga Gjykata.

Lidhur me këtë, prokurorja Nebahate Salihu deklaroi se Prokuroria i ka bërë gati të gjitha shkresat e lëndës dhe ka tentuar të kontaktojë mbrojtësin tjetër të Lushtakut, avokatin Faton Fetahu, mirëpo ka qenë i paqasshëm.

Më pas, në këtë seancë prokurorja ia dorëzoi të gjitha shkresat e lëndës avokates Ismajli.

Kurse, gjykatësi Eroll Gashi pyeti palët nëse pajtohen që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, e nëse arrihet ky pajtim, aktakuza do të hudhet sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Në këto rrethana, me kërkesë të mbrojtjes për disa momente u ndërprere seanca për t’u konsultuar lidhur me këtë çështje./“Betimi për Drejtësi“.

Lini një Përgjigje