Seancat ndaj krerëve nga private do të kalojnë në publike

Seancat e radhës për ish-krerët e UÇK-së pritet të kalojnë nga private në publike.

Në një vendim për zhvillim të procedurës gjyqësore të Gjykatës Speciale që ka parë Gazeta Insajderi, ka përkujtuar të drejtën për seancë publike dhe interesin publik.

“Gjatë seancës së sotme (17 maj), trupi gjykues për rastin Thaçi dhe të tjerët shprehu shqetësimin e tij se pothuajse të gjitha provat e deritanishme janë dëgjuar në seancë private ose të mbyllura dhe u kujtoi palëve, ndër të tjera, se në bazë të nenit 21 (2) të Ligjit, të akuzuarit kanë të drejtë në një seancë të drejtë dhe publike dhe se ka interes publik që kjo procedurë të zhvillohet, aq sa është e mundur, në mënyrë publike”, njofton Specialja.

Paneli i gjyqtarëve kanë kërkuar nga palët që të vijnë me hapa konkretë lidhur me çështjen e seancave publike.

“Paneli i gjyqtarëve lëshoi një urdhër me gojë duke kërkuar parashtresa nga palët, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkretë që mund të ndërmerren shkallë më të madhe të publicitetit të këtyre procedurave. Në ndërkohë, Paneli i udhëzoi palët që të kenë parasysh parimin e publicitetit kur kërkojnë që pjesët e dëshmive të dëshmitarëve të dëgjohen në seancë private ose të mbyllur”, vijon njoftimi.

Deri më tani, pesë dëshmitarët në rastin Thaçi dhe të tjerët janë dëgjuar në seancë private.