Sejdiu: LDK e VV të tejkalojnë të menduarit partiak për ta shpëtuar Kosovën

0
231

Ish-deputeti Korab Sejdiu thotë se LDK-ja dhe Vetëvendosje duhet të tejkalojnë të menduarit partiak për të krijuar një qeveri të shumicës, me anë të së cilës do ta shpëtonin Kosovën.

“Kur ndodhë diçka shumë e keqe (ndonjë tragjedi), populli zakonisht thotë “mos raftë me u harru”. Me përfundimin e mandatit të kësaj legjislature, e me të edhe kapitullimin e qeverisë së Vuqiçit në Kosovë, besoj që është mirë të thuhet “mos raftë me u harru kjo legjislaturë e qeveri””, ka shkruar Sejdiu në Facebook.

Ai thotë se është moment jetik për ta kthyer Kosovën në binar.

“Fatmirësisht, ekziston tani një moment jetik për të kthyer Kosovën në binar, dhe për ta shpëtuar atë nga drejtimi i zhbërjes që ia ka dhënë kryesisht PAN-i”, shkruan Sejdiu. “LDK dhe LVV duhet të tejkalojnë të menduarit tipik partiak, dhe të veprojnë për Kosovën. Përkundër investimeve nga forcat e errëta (nga jashtë e nga brenda këtyre partive), e mira e përgjithshme e vendit na detyron që të bëjmë presion tek ato që bashkërisht të sigurojnë fitoren e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”.

Sipas Sejdiut bashkimi i dy forcave kryesore politike shqiptare në vend, edhe pse jo i përkryer, është formula më e mirë për të shpëtuar vendin përmes një shumice bindëse në Kuvend dhe një qeverie stabile, të aftë dhe të guximshme. Le të garojmë bashkë për shpëtim, thotë ai.