Selimi thotë se Shpend Ahmeti ka dështuar në realizimin e objektivave

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për qeverisjen e Prishtinës nga Shpend Ahmeti.

Kur është pyetur se a është zhgënjyer nga kryetari i kryeqytetit, Selimi është përgjigjur pozitivisht. Ai ka thënë se personalisht, sikurse të gjithë në Lëvizjen Vetëvendosje, janë kujdesur edhe në detaje që Ahmeti të jetë kryetar i Prishtinës.

Deputeti Selimi po ashtu thotë se Ahmeti ka dështuar në kryerjen e objektivave karshi qytetarëve, duke mos e realizuar programin me të cilin garoi në zgjedhje si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, sipas Selimit, ani pse Ahmeti është larguar nga VV-ja, po të punonte mirë për Prishtinën, ai do ia kishte pranuar publikisht, duke i dhënë merita për këtë gjë, por që siç tha ai: kjo gjë nuk po ndodhë.

“Për fat të keq po. Unë edhe personalisht por mbi të gjitha si subjekt politik, i kemi dhënë përkrahje Shpendit të rezervë të gjithë së bashku dhe secili vec e vec. Jemi kujdesur për fitoren e Shpendit pra të Lëvizjes Vetëvendosje edhe në detaje. Po ashtu jemi gëzuar shumë që ka ndodhur një ndryshim shumë i rëndësishëm. Në fund nuk mund të jem i kënaqur, por do të doja të isha i kënaqur, sikurse ai të implementonte planin qeverisës që kemi konkurruar bashkë si subjekt politik. Sikurse ai ta ndryshonte qytetin e Prishtinës për mirë. Sikur ne në këtë qytet ku jetojmë ta kishim më mirë, në saje të punës së tij. Por, për fat të keq nuk mund të fokusohem në sukseset e tij (Shpend Ahmeti)”, ka thënë deputeti Selimi.

Selimi ka folur edhe për raportet personale me tashmë kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti.Ai ka thënë se ka pasur miqësi me Ahmetin, sikurse me shumicën e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, teksa thotë se miqësia e tyre ka lindur në saje të angazhimit të përbashkët si zyrtarë të Vetëvendosjes.

Madje, Selimi thotë se nëse Ahmeti do të ishte ende pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ata do vazhdonin të ishin miq mes vete.

“Sikurse me shumë kolegë tjerë kam qenë afër me Shpendin, në saje të asaj që na ka bashkuar. Na ka bashkuar Lëvizja Vetëvendosje. Unë kam qenë i afërm sikur me të tjerë, por edhe me Shpendin kam qenë i afërm në miqësinë tonë edhe private-shoqërore. Nuk ka pasur kjo të bëjë me pozitat sepse unë kam qenë deputet, ai kryetar i Komunës. Asnjëherë nuk më është përzier në punën time si deputet, e as unë si kryetar i Prishtinës. Nuk jemi tash bashkë. Nëse do të ishte në Lëvizjen Vetëvendosje, prapë do të ishim miq sërish”.

Në fund deputeti i Vetëvendosjes, thotë për dikur bashkë partiakun e tij, se nuk e ka armik. Ani pse e pranon se me largimin e Ahmetit nga partia, ata nuk takohen për ‘dreka dhe kafe. “Nuk janë prishur raportet miqësore. Por, ajo çfarë nuk është më siç ka qenë janë takimet. Nuk takohemi në dreka dhe kafe si dikur, për shumë arsye. Por, nuk jemi armiq, kjo është me rëndësi”.