Serbët ftojnë Kurtin për vizita në komunat e tyre

0
134

Përfaqësues të ndryshëm të komunave me shumicë serbe si Graçanica, Parteshi e Novobërda thonë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i mirëseardhur t’i vizitojë, “por vetëm nëse ka qëllim të mirë”.

Sipas tyre, Qeveria Kurti 2 po i bën 100 ditë prej se është në detyrë dhe nuk ka vizituar asnjë komunë me shumicë serbe në Kosovë.

“100 ditë nuk është periudhë e gjatë, por premtimi është premtim. Mendoj se iniciativa duhet ët vijë nga Qeveria dhe kryeministri, ose ekipi i tij. Për fillim, nëse jo kryeministri, mund të jetë dikush nga ekipi i tij”, ka thënë Dejan Radivojeviq nga Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik (FDMC), duke iu referuar Kurtit gjatë fushatës parazgjedhore se do të vë kontakte me serbët në Kosovë pa ndërmjetësim të Serbisë.

Në një tryezë të mbajtur në Qendrën për Media në Çagllavicë, prezent ishin edhe zyrtarë të disa komunave.

Drejtori i Kadastrit në Komunën e Graçanicës, Nebojsha Periq, thotë se në këtë qytezë janë mikëpritës.

“Ne në Graçanicë jemi mikpritës të mirë, por edhe në komunat tjera me shumicë serbe. Çdokush që ka qëllim të mirë, është i mirëseardhur”, ka thënë Periq, përcjell Kossev.

Edhe Ivica Jançiq, zyrtar nga Komuna e Parteshit pret vizitën e Kurtit.

“Mendimi im personal është se Kurti duhet të vizitojë Parteshin, që personalisht të njoftohet me problemet që ballafaqohet një komunë e vogël”, ka thënë Jançiq.

E Zoran Cvetkoviq nga Novobërda, thotë se popullata po i pret ndryshimet që i ka premtuar.

“Popullata po i pret disa ndryshime që i ka premtuar. Priten investime të reja. Komuna jonë është shumë e varfër. Çdo investim është i mirëseardhur”, ka thënë Cvetkoviq, zyrtar në Komunën e Novorbërdes.

Sipas një raporti të paraqitur në këtë tryezë, serbët e intervistuar në këto komuna kanë thënë se problemet e tyre duhet t’i zgjidhin përfaqësuesit e zgjedhur serbë në institucionet e Kosovës, e jo shqiptarët.

Drejtori i FDMC-së, Radivojeviq, thotë se kjo është gabim.

“Ky është një paradoks total. Të gjithë që ulen në Qeveri duhet t’u përgjigjen të gjitha komuniteteve, pasi kjo është puna e tyre, e jo dëshira ose mendimi i një komuniteti. Përsëris, Kurti duhet të fillojë, të bëjë hapin e parë”, ka thënë Radivojeviq.