Serbia ia vështirëson Kosovës përfaqësimin rajonal

0
315
Foto ilustrim

Diçka që e priste i ka ndodhur Shpend Lilës, kur të premten ka nisur prezantimin në podiumin e një prej sallave kryesore në Beograd, ku është mbajtur Samiti digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mikrofoni i tij ndalet, në ekranin që zinte pjesën ballore të sallës shfaqet një tekst në serbisht e anglisht, që nuk ishte pjesë e prezantimit të Lilës, ndërsa fokusi i ndriçimit që ishte tek ai zhvendoset në publik tek një vajzë që kishte një mikrofon në dorë, e cila nis ta lexojë tekstin.

“Kosova dhe Metohija është krahinë autonome e Republikës së Serbisë, nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Është absolutisht e papranueshme që të keqpërdoret ky takim dhe të afirmohet pavarësia e njëanshme e të ashtuquajturit shtet i Kosovës, me ç’rast po shkelet marrëveshja për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal, e arritur në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, është përmbajtja e tekstit të shfaqur e të lexuar në këtë ngjarje.

Lila thotë se ndërprerja i ka ardhur nga shteti nikoqir i ngjarjes.

“Është hakuar prezantimi, sapo e kam filluar, dhe në të ka dalë ky tekst dhe më është ndërpretë fjalimi nga një zonjë e Qeverisë, e cila e ka lexuar tekstin serbisht”, ka treguar për “Kohën Ditore” ai.

“E kam pritur deri në fund, pa reaguar. I kam thëne ‘thank you’ dhe kam vazhduar me prezantimin e historikut dhe punës së ICK-së, deri në fund. Më ka ndërprerë edhe disa herë të tjera, sa herë që gjatë prezantimit e kam përmendur Kosovën, Qeverinë apo institucionet tona”.