Serbia paralajmëron orë policore 24 orë, zbatohet edhe në Kosovë

0
292

Për shkak të numrit në rritje të të infektuarve me coronavirus, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sa i përket luftës kundër pandemisë COVID-19 “ka në dorë gjithë veriun e Kosovës dhe të gjitha mjediset me serbë në Kosovë”, ka paralajmëruar orë policore 24 orë, ndërsa do të jenë të detyruar ta zbatojnë komunat veriore dhe ato me shumicë serbe në gjithë Kosovën, transmeton Zëri.info

Numri i madh i të infektuarve me COVID-19 në Serbi dhe rastet e para me coronavirus në mjediset serbe në Kosovë, si dhe mosrespektimi i masave që ka ndërmarrë Serbia përfshirë edhe orën policore prej 17:00 deri në 5:00 (vikendeve nga ora 15:00 – 5:00) ka shtyrë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të ndryshojë orën policore në gjithë Serbinë.

Ai ka paralajmëruar se nga kjo javë ora policore do të jetë 24 orë, nëse edhe më tutje qytetarët me vetura dhe duke u grumbulluar mblidhen në hapësira të ndryshme, duke rrezikuar, siç ka thënë ai “veten dhe të tjerët që të infektohen me coronavirusin COVID-19. “Për të ruajtur jetët e njerëzve, nëse do të jetë e nevojshme do të propozojë orë policore që do të zgjasë 24 orë. Ne kemi masat më të rrepte në Evropë, por nuk do të hezitojmë që nga kjo javë ta zgjasim orën policore 24 orë, nëse nuk ka rezultate më të mira”, ka thënë Vuçiq. Dhe më qenë se me një protokoll që e proklamojnë zyrtarët serbë, sa i përket pandemisë COVID-19 i gjithë veriu i Kosovës, si dhe të gjitha mjediset me serbë në Kosovë kanë mbetur në duar të Vuçiqit, respektivisht të institucioneve shëndetësore me sistemin e Serbisë, ora policore prej 24 orësh do të jetë e obligueshme edhe për qytetarët e atyre mjediseve. Do të thotë, ora policore e Vuçiqit do të zbatohet në disa pjesë të Kosovës.

Në anën tjetër, epidemiologu serb, Aleksandër Antonijeviq, ka thënë se pas paraqitjes së dy rasteve me coronavirus në veri janë marrë masat që epidemia të mos zgjerohet. Ai megjithatë pohon se raste të reja me pandeminë do të ketë gjatë kësaj jave. Ai ka shtuar se nën mbikëqyrje të mjekëve janë 100 persona, derisa ka nënvizuar se i infektuari me coronavirus nga Mitrovica e Veriut dyshohet se është infektuar nga një grua nga Kragujevci, e cila kishte marrë pjesë në një dasmë dhe se 43- vjeçari, mjek, kishte pasur kontakt me të.

“Ka qenë një tubim masiv, në të cilën është infektuar personi nga Mitrovica. Kemi një paciente nga Kragujevci e cila lidhet me rastin e Mitrovicës, sepse kanë qenë të dy bashkë në këtë tubim. Ata kanë pasur kontakt mes vete. Të gjitha masat janë marrë, të gjithë ata që kanë pasur kontakt do t’u bëhen analizat, do të shohim nëse ata kanë shenja, apo simptome të coronavirusit. Do t’u bëhen analiza edhe stafit mjekësor që është përkujdesur për ta, respektivisht të gjithë ata që kanë pasur kontakte dhe që nuk kanë pasur masa mbrojtëse janë izoluar”, ka thënë Antonijeviq.