Serwer: Nuk besoj që Beogradi është i gatshëm për reciprocitet

Analisti amerikan, Daniel Serwer, në dymbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka thënë se nuk ka shumë vende të cilat kanë arritur më shumë gjatë 12 viteve të ekzistimit të tyre.

Duke treguar se për asnjë shtet nuk mund të thuhet se është plotësisht stabil, Serveri potencon se së fundmi në Kosovë është formuar një qeveri e re demokratike.

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, vlerëson se Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do ta ndryshojë qasjen e Kosovës ndaj Serbisë.

“Kryeministri Kurti e ka sqaruar se do të kërkojë që marrëdhëniet me Serbinë të bazohen në reciprocitet. Unë nuk jam i sigurt që Beogradi është i gatshëm për këtë, megjithëse mendoj se Kurti me të drejtë e kërkon këtë. Nuk pres ndonjë lëvizje në marrëdhëniet mes dy palëve deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të prillit në Serbi “, tha Serwer për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Serwer përmend korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në Kosovën bashkëkohore, me të cilin, siç thotë ai, po përballen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Prokurimi jo-transparent i qeverisë dhe nepotizmi veprojnë si problemet më të mëdha të shoqërisë kosovare. Unë pres që autoritetet e reja të Kosovës t’i adresojnë këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme – për të eleminuar privilegjet e prezantuara nga paraardhësit e tyre gjatë kohës që ishin në pushtet. Gjithashtu, Kosova po përballet me përpjekje aktive për të minuar institucionet dhe strukturat, të cilat po zbatohen nga fqinji i saj më i madh dhe më i fuqishëm, Serbia. Fushata që Serbia po zhvillon, që synon tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe kërkimin për të mbajtur kontrollin politik mbi serbët që jetojnë në territorin e Kosovës, janë pengesa serioze, “thotë Server, transmeton lajmi.net.

I pyetur nëse ky është viti në të cilin Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, Interpolit dhe UNESCO-s, Serveri tha se kjo është e paqartë duke pasur parasysh kundërshtimin e Serbisë dhe Rusisë.

“Çështja e anëtarësimit në Interpol dhe UNESCO mund të zgjidhet brenda një ore – nëse Serbia bie dakord. Unë mendoj se ajo duhet ta bëjë një gjë të tillë. Kur bëhet fjalë për Kombet e Bashkuara, është një çështje shumë më e vështirë, sepse, përveç Beogradit, Moska do të përpiqet ta materializojë shtrenjtë nga Uashingtoni. Gjë të cilën Uashingtoni nuk do të dëshirojë ta bëjë “, tha mes tjerash Serwer.