Shaban Viqa – Baci do të nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë vendim që ish-pjesëtari i UÇK-së Shaban Viqa- Baci të nderohet me dekoratën më të lartë të shtetit, me urdhrin “Hero i Kosovës”, në shenjë nderimi për veprën e tij kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai këtë e ka bërë të ditur sonte në akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Shaban Viqa-Baci, me rastin e dhjetëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Presidenti Thaçi tha se jeta dhe vepra e Shabanit është e pavdekshme.

“Ai u edukua prej një familje me përcaktim të qartë kombëtar. Idealin e tij atdhetar më së miri e zbuloi lufta çlirimtare. Është njëri nga pjesëmarrësit e Epopesë së Jezercit, dhe betejave të tjera. Shaban Viqa ishte i shqetësuar për fatin e shqiptarëve edhe jashtë Kosovës. Ai diti t’i bashkojë njerëzit. Ideali dhe projekti i tij ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve. Secili nga ne që e ka njohur e kujton për veprën e tij madhore”, tha ai.

Ndryshe, Shaban Viqa-Baci ka marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në UÇPMB dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Kosovapress