Shatri: Çmimet e produkteve nuk kanë rënë, deklarata e ministrit Murati hajgare

Qytetarët e vendit vazhdojnë të paguajnë produktet me çmime të larta. Madje, ata çdo ditë po ankohen se me këto çmime nuk po ia dalin as të mbijetojnë. Por, ndryshe po thotë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Të shtunën ministri Murati, deklaroi se çmimet kanë filluar t’i rikthehen normalitetit.

“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit”, ka shkruar ai.

Për çmimet e larta të produkteve për Front Online ka folur edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Shatri, ka thënë se deklarata e ministrit Murati, që çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit është hajgare.

Sipas tij, nuk është liruar asgjë në krahasim me vitin e kaluar.

“Ministri po bën hajgare kur po thotë se janë rënë çmimet. Në fakt, kjo është hajgare e keqe me popull, sepse ekonomistët e kanë një afinitet me i bë disa fiskultura në numra dhe i shpjegojnë qysh kanë qejf vet. Në fakt ai e ka mashtruar opinionin duke thënë se po bien çmimet, derisa norma e rritjes së çmimeve sivjet është më e vogël sesa vjet, por kjo është normë e rritjes. Nëse sivjet është 6% rritja në krahasim me vitin e kaluar ku ka qenë 11%, norma e rritjes është pak më e vogël, por çmimet nuk kanë rënë, nuk është liruar asgjë në krahasim me çmimin e vitit të kaluar”, është shprehur Shatri, për Front Online.

Ndërsa, thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të tregojë se a ka shkelje në këtë ligj apo jo.

“Shtrenjtime ka dhe këtë e dëshmojnë të dhënat statistikore që janë të dhëna zyrtare. Shtrenjtime pra ka, por norma e rritjes nuk është e madhe sa vitin e kaluar, pra kjo është e vërteta. Krejt kjo u bë për një deklaratë politike me sulmu LDK-në, si parti opozitare e cila e ka kundërshtuar Ligjin për Çmimet Tavan sepse konsiderojnë që ligjet tavan janë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë për çka e kemi të përcaktuar edhe në Kushtetutën tonë. Tash Kushtetuta duhet me tregu a i shkel ky ligj parimet kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai, thotë se vendimet e një shteti për të caktuar çmimet, janë komuniste.

“Unë mendoj që shteti nuk duhet me marr vendime që janë të natyrës së një shteti komunist, mi caktu çmimet ose me i kufizu, por duhet me marr masa me të cilat i ndihmon ekonomisë konkurruese, e duke e zhvilluar konkurrencën e lirë çmimet vetvetiu bijnë”, ka deklaruar ndër të tjera, Shatri.