SHBA e do me çdo çmim marrëveshjen Kosovë-Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan me çdo çmim përfundimin sa më të shpejtë të kontestit ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe gjatë muajve të ardhshëm do të bëjnë çdo gjë që këto dy vende të arrijnë marrëveshjen.

Kështu shkruan sot gazeta serbe ‘Danas’ të kenë thënë për të jo zyrtarisht diplomatë perëndimorë tek kanë komentuar mesazhin më të ri të zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Palmer, transmeton Koha.net.

Burimet e kësaj gazete theksojnë se Palmer edhe më herët është përpjekur që me deklaratat e veta “t’i motivojë” palët negociuese, porse kësaj radhe ai ka shkuar edhe më larg, përkatësisht ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë pasi ka thënë: “Ne shpresojmë se të dy palët mund të gjenden në mes të rrugës, të bisedojnë, ta arrijnë marrëveshjen, ta zbatojnë dha ta hapin rrugën evropiane e cila është pastër dhe e qartë”.

Siç kanë sqaruar diplomatët, vazhdon kjo gazetë, ky mesazh do të thotë se administrata amerikane është pragmatike dhe se me marrëveshjen eventuale “asnjëra palë nuk do të jetë krejtësisht e kënaqur”.

“Administrata e presidentit amerikan Donald Trump në shumëçka është më fleksibile sesa administratat paraprake të SHBA-së dhe dëshirojnë t’i lënë Serbinë e Kosovën të merren vesh për kontestin prandaj do të bëjë presion ndaj kryeministrit Haradinaj që ta heqë taksën për mallrat e Serbisë deri në mbajtje të samitit të Parisit, më 1 korrik. Pjesë të administratës amerikane muajve të shkuar e kanë përkrahur Haradinajn lidhur me taksën, por ajo është e vetëdijshme se Serbia nuk do të kthehet në dialog pa u hequr taksa e që do të ishte dështimi i dialogut”, kanë thënë bashkëbisedues të “Danasit”, transmeton Koha.net.