SHBA ia bën të qartë Jeremiqit: Kosova është shtet dhe kjo nuk do të ndryshojë

Kryetari i Partisë Popullore dhe kryesuesi i Lëvizjes për Serbi, Vuk Jeremiq, deklaroi sot në Uashington se shumica e popullit serb nuk do të pranojë asnjëherë Kosovën si shtet të pavarur, por prioritet i parë duhet të jetë vendosja e marrëdhënieve për kushte normale jetësore të serbëve dhe shqiptarëve.

“Në Departamentin e Shtetit dje më thanë se duhet të kuptojmë se Kosova është një shtet i pavarur dhe duhet ta pranojmë realitetin, i cili nuk do të ndryshojë. Kam frikë se kjo është e pamundur për këdo që mban identitetin tonë kulturor dhe kombëtar “, tha Jeremiq në një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Universitetit të George Town.

Ai përsëriti se ndryshimi i kufijve sipas parimit etnik do të ishte precedent i rrezikshëm dhe ndryshimi i kufijve me Kosovën nuk do të ishte i fundit në rajon, i cili mund të shkaktojë pasoja katastrofike.

I pyetur rreth lidhjes ndërmjet zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe rrugës së Serbisë drejt BE-së, Jeremiq tha se koncepti i pranimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi në BE nuk ka kufij midis shteteve anëtare, por sipas tij, kjo ofertë nuk është tani në tryezë. “Nuk e dimë se çfarë lloj oferte do të jetë kur reformat në BE të përfundojnë apo nëse do të jetë fare “, tha Jeremiq.