SHBA: Serbia dhe Kosova të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden

Shtetet e Bashkuara po i nxisin Prishtinën dhe Beogradin të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden, tha në Tiranë, Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, transmeton Zëri i Amerikës.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të një marrëveshjeje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”, tha Palmer.

Këto komente, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i bëri gjatë një takimi me gazetarë në Tiranë.