Shënohet 20-vjetori i masakrës në Podujevë ndaj familjes Bogujevci e Duriqi

0
244

Familjarë e qytetarë të shumtë sot ishin mbledhur në Parkun e Paqes në Podujevë për të përkujtuar masakrën ndaj familjes Bogujevci dhe Duriqi 20 vjet më parë nga forcat kriminale serbe.

E mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci tha se duhet të krijohet memoria kolektive dhe vetë institucionet të merren më shumë me organizimin e këtyre manifestimeve përkujtimore.

Në emër te familjes Duriqi foli Mimoza Duriqi e cila tha se si familje e kanë pasur të vështirë ta përballojnë humbjen e shtatë anëtarëve të familjes.

David Vasallo, doktori i cili i kishte shëruar disa nga fëmijët e mbijetuar, teksa i kujton momentet se si ishte takuar dhe si i kishte shëruar fëmijët e familjes Bogujevci dhe Duriqi, tha se Kosova duhet të ketë fqinjësi të mirë me të gjithë.

Në 20-vjetorin e masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi familjarë e qytetarë gjatë ditës kanë bërë homazhe te varrezat e të rënëve.

Parku i Paqes së Mançesterit u ndërtua nga “Manchester Aid to Kosovo”, një organizatë bamirëse britanike, e cila me kërkesë të fëmijëve të evakuuar në Mançester për shërim më 1999, e ndërtuan këtë park.

Nesër duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare do të hapet ekspozita me titullin “Zërat e Kosovës në Mançester”./KosovaPress/