Shiten 10 mijë bileta, Panuçi ka gati planin anti-Turqi

Shqipëria nis kualifikueset sonte dhe sikurse dihet ndeshja e parë zhvillohet kundër Turqisë. Kuqezinjtë zbresin në orën 20:45 në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” dhe objektivi është një dhe i vetëm: 3 pikët.

Interesimi i tifozëve gjatë kësaj periudhe ka qenë i lartë dhe deri më tani janë shitur rreth 10 mijë bileta. Nga Turqia të konfirmuar janë 1 mijë tifozë. FSHF, në bashkëpunim me Blinibileta.com që menaxhon shitjen e biletave, janë përgatitur që sot të shmangin radhët e gjata dhe anomalitë. Kështu, shitja e biletave do të vijojë në 3 qytete.

Në kryeqytet shitja do të vijojë të bëhet në dy pika, në biletarinë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhënë dyqanin zyrtar të FSHF-së pranë Ambasadës Amerikane. Gjithashtu vijon shitja edhe në Elbasan, si zakonisht në biletarinë pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Në Shkodër po punohet me 3 sportele, duke qenë se edhe aty luhet takimi.

FORMACIONI – Nga ana tjetër trajneri Kristian Panuçi është menduar mirë për formacionin që do të zbresë në fushë. Tekniku italian, si zakonisht është munduar të fshehë zgjedhjet e tij dhe duhet pritur deri në analizën e sotshme për të mësuar se kush luan nga fillimi.

Momentalisht Etrit Berisha është i konfirmuar në portë, sikurse edhe Hysaj, Gjimshiti e Ismajli në prapavijë. Pikëpyetja është krahu i majtë i mbrojtjes. Aliji, apo Veseli? Panuçi vendos sot. Ngjitemi më lart, në mesfushë ku Abrashi e Xhaka do të presin të mësojnë partnerin tjetër. Italiani është i dyzuar, të shtojë muskuj të tjerë apo t’i besojë Memushajt. Pjesa përpara s’ka dilema. Grezda e Uzuni do të mbështesin Armando Sadikun.