Shkaku i falsifikimit, nëntë kompani në listën e zezë të OSHP-së

0
175

Nëntë kompani janë futur në “listën e zezë” të bizneseve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit shkaku i falsifikimit të dokumenteve për tenderë. Këtyre kompanive për gjashtë muaj u është ndaluar pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit publik të Kosovës.

Së fundmi në këtë listë është futur edhe kompania “Lirigzoni”. Kjo kompani në tenderin për “rikonstruimin e rrugës regjionale R115, pjesa Prizren-Prevallë”, të shpallur nga Ministria e Infrastrukturës, ka paraqitur të dhëna të rreme, duke falsifikuar raportin e kontratave të përfunduara nga Komuna e Leposaviqit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se lista referuese e kontratave që është kërkuar për tre vjetët e fundit është falsifikuar dhe se këtë e ka deklaruar edhe Komuna e Leposaviqit, e cila ka thënë se nuk e ka nënshkruar dokumentin e dorëzuar nga kompania.

“Lista referuese në fjalë është falsifikim i rëndë, përkatësisht atë listë nuk e kam lëshuar, paneli shqyrtues konstaton se dëshmitë e lartcekura nuk janë nënshkruar dhe lëshuar nga personi përgjegjës dhe se të njëjtat janë falsifikuar”, ka deklaruar zyrtari i KK të Leposaviqit.