“Shkëndijat” e luftës tregtare tashmë janë në ajër

Kina ka vendosur tarifa prej 25 përqind në 128 produkte amerikane duke përfshirë derrin e ngrirë, verën dhe disa pemë, duke përshkallëzuar tensionet në mes të dy ekonomive botërore, në përgjigje të vendimit të SHBA-së për vendosjen e tarifave në importin e çelikut dhe aluminit, raporton Reuters, transmeton REL.
Tarifat, që janë vënë në funksion nga dita e sotme, janë bërë të ditura të dielën vonë nga ministria e Financave e Kinës, e cila ka thënë se tarifat kanë vlerën e 3 miliardë dollarëve në importet e produkteve amerikane.
Pak kohë pas njoftimit, përmes një editoriali në Global Times është paralajmëruar se nëse SHBA-ja ka menduar se Kina nuk do të hakmerrej apo se vetëm do të merrte kundërmasa simbolike, mund t’i thotë “lamtumirë një iluzioni të tillë”.
“Ndonëse Kina dhe SHBA-ja nuk kanë thënë publikisht se janë në luftë tregtare, shkëndijat e para të një luftë të tillë tashmë janë në ajër”, thuhet në editorial.
The Global Times udhëhiqet nga Partia Komuniste, ndonëse qëndrimi i saj nuk reflekton domosdoshmërisht politikën qeveritare të Kinës.
Ministria kineze e Ekonomisë ka thënë se ka pezulluar obligimet e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë për të ulur tarifat në 120 produkte amerikane, duke përfshirë pemët dhe etanolin, pasi tarifat në këto produkte do të rriten për 15 përqind.
Tetë produkte të tjera, duke përfshirë derrin e ngrirë, do të jenë subjekt i tarifave shtesë prej 25 përqind dhe të njëjtat do të hyjnë në fuqi prej 2 prillit.
“Pezullimi nga ana e Kinës për koncesionet tarifore është një hap legjitim për të ruajtur interesat e shtetit”, ka thënë ministria kineze e Financave.
Tarifat hakmarrëse kanë ardhur në mesin e tensioneve të përshkallëzuara tregtare në mes të Pekinit dhe Uashingtonit, të cilat kanë goditur tregjet botërore në javët e fundit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ndaras është duke përgatitur vënien e tarifave prej më shumë se 50 miliardë dollarëve në mallrat kineze.
Ky hap mund të vijë si ndëshkim për Pekinin për shkak të atyre që Uashingtoni i cilëson si vjedhje sistematike të pronës intelektuale të SHBA-së nga ana e Pekinit.
Kina vazhdimisht ka premtuar për të hapur ekonominë e saj, mirëpo disa kompani të huaja vazhdojnë të ankohen për trajtim të padrejtë.
Trump me një valë të re tarifash
Administrata e presidentit Trump pritet që këtë javë të prezantojë një grup të produkteve kineze të cilat janë cak i tarifave të reja nga ana e SHBA-së dhe të cilat do të fokusohen në politikat e teknologjisë.
Lista prej 50 deri më 60 miliardë dollarë në importet vjetore pritet të shënjeshtrojë produktet e “teknologjisë së avancuar”, dhe mund të zgjasë deri në dy muaj derisa të njëjtat të fillojnë zbatimin, kanë thënë zyrtarë të administratës.
Caku ‘MADE IN CHINA 2025’
Zyrtarët e industrisë së teknologjisë së SHBA-së kanë thënë se presin që nw listwn e administratës së Trumpit të jenë produkte që përfitojnë nga programi i Pekinit “Made in China 2025”, i cili ka për qëllim rritjen e prodhimit të brendshëm me produkte më të avancuara.
Në raporte thuhet se në tarifa mund të përfshihen edhe mallrat e konsumatorëve si veshjet dhe të mbathurat.
Kohë e kufizuar për bisedime
Ndonëse ka pasur kontatke në mes të zyrtarëve të lartë të administratës së Trumpit dhe homologëve të tyre kinezë prej kur presidenti amerikan ka njoftuar për qëllimin e tarifave të reja, nga ajo kohë ka pasur pak të dhëna për negociata në këtë aspekt.
“Administrata është duke ndjekur modelin japonez të viteve të1980-ta”, ka thënë një shef i industrisë së teknologjisë.
“Ata do të publikojnë një regjistër federal të tarifave të reja në produkte të caktuara dhe do të tentojnë të negociojnë një marrëveshje brenda 60 ditëve”.
Gjatë periudhës së parë në administratën e Reganit zyra e Përfaqësuesve Tregtarë të SHBA-së, ka përdorur taktika të njëjta për të fituar në eksportet japoneze në çelik.
Ish-zëvendësja e kësaj zyre për negociatat me Azinë, Wendy Cutler ka thënë se adresimi i supozimeve për vjedhje të pronës intelektuale, do të kërkonte ndryshime masive në politikën industriale të Kinës.
Sipas saj në marrëveshje brenda 60 ditëve nuk mund të jetë realiste në këtë çështje.

/Evropa e Lirë/