Shkon në 59 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

0
163

TIRANË- Në 60 testime të kryera 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitiv 4 raste të reja, duke e çuar në 59 në total numrin e të infektuarve me koronavirus në Shqipëri. Tre rastet e reja janë nga kontaktet me të infektuar, e ndërsa është konfirmuar edhe një rast krejtësisht i ri me histori udhëtimi nga zonat e kuqe. Bëhet për një 66-vjeçar, i cili trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT. Në shifra të përgjithshme, 30 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina) ku tre prej tyre, janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Një lajm i mirë vjen për kontaktin e parë pacientit zero, i cili ka rezultuar nga ritestimi negativ. “Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19. Në fund, deklarata mbyllet me një thirrje për të gjithë qytetarët që të mos t’i drejtohen spitalit nëse shfaqin simptoma, por të marrin numrin e ugjencës 127. Theksi vihet tek vetëkarantinimi.

“Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital! Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi”, shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Harta e qyteteve të prekura

Tiranë 42 raste

Durrës 5 raste

Lushnje 2 rast

Elbasan 2 raste

Fier 6 raste

Rrogozhinë 2 raste