Shoqata e Bankave dënon sulmin me bombë ndaj bankomatit

Shoqata e Bankave ka reaguar ndaj sulmit të djeshëm me eksploziv ndaj bankomatit të njërës nga bankat komerciale në Kosovë. Kjo shoqatë ka dënuar fuqishëm këtë akt kriminal, duke thënë se krijon pasiguri në sektorin financiar, rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe dëmton rëndë imazhin e Kosovës.

Me datë 7.04.2019 në orët e hershme të mëngjesit ishte sulmuar me eksploziv një bankomat, duke shkaktuar dëme materiale edhe të lokaleve përreth bankomatit në një zonë të banuar dhe shumë të frekuentuar në Prishtinë.

Sektori bankar kërkon nga institucionet e sigurisë së vendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë këto grupe kriminale që synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës.

“E keqja duhet të luftohet me të gjitha forcat që ka shteti për të shmangur rrënimin e rendit dhe ligjit në vend”, thuhet në reagimin e shoqatës.