Shpend Ahmeti i përgjigjet kërcënimit të Sali Zybës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i është përgjigjur kërcënimeve të djeshme që ia ka bërë zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, menjëherë pasi i fitoi zgjedhjet.

Sali Zyba ka shkruar dje në Facebook se Shpend Ahmeti do të largohet nga pozita në të cilën e kanë zgjedhur qytetarët e Prishtinës dhe se ai duhet të gjej një vend ku të ikë, si ish-kryetari i Kacanikut, Xhabir Zharku.

Ahmeti ka shkruar se nuk e ka synim të kërkojë azil në asnjë shtet tjerër dhe se nuk ia ka frikën kërcënuesve.

“Jam qytetar krenar i Republikës së Kosovës dhe nuk e kam synim azilin në asnjë shtet tjetër. Nuk ja kam pas frikën kërcënuesve në asnjë rrethanë e aq më pak disave që i njoh mirë. Urime miq të mi! Kosova ka mjaft probleme për me i zgjidh”, ka shkruar Ahmeti në FB.

Ndërkaq për fjalët e Zybës ka pasur shumë reagime e kryetari i VV’së, Albin Kurti ka thënë se nuk është për një qasje të tillë, por e ka cilësuar si liri të shprehjes deklarimin e Zybës.

E sot nënkryetari i VV’së, Besnik Bislimi, ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e partisë së tij që të mos përdorin gjuhë përcmuese e përcarëse ndaj askujt.