Shpend Ahmeti: Nuk jam i sigurt nëse do të vazhdoj me Vetëvendosje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur për situatën në Lëvizjen Vetëvendosje dhe pozicionimin e tij në këtë përçarje, transmeton Gazeta Metro.

I ftuar në emisionin 038 të KTV’së, Ahmeti ka thënë që nuk është përfshirë në problemet e VV’së dhe ka thënë që gjërat në parti nuk janë mirë.

“Nuk kam qenë i përfshirë dhe nuk dua të përfshihem në problemet në Vetëvendosje. Nuk mund të gënjej dhe të them që gjërat kanë qenë mirë, por kjo gjë po merr epilogun a fundin sepse të gjithë do të orientohen”, tha Ahmeti.

Ai refuzoi të fliste më hollësisht për problemet në nivelin qendror dhe shtoi që është plotësisht i fokusuar për të përmbushur të gjitha premtimet e dhëna në fushatë zgjedhore, duke thënë që për të prioritet është Prishtina.

I pyetur nëse do të jetë kryetar i Prishtinës nga Vetëvendosja deri në fund të mandatit, ai u përgjigj duke thënë që nuk është i sigurt nëse do të jetë kështu.

“Jo, nuk thashë asgjë për siguri, as jam e as sjam”, tha Ahmeti.

Lëvizja Vetëvendosje është përçarë ditë më parë dhe figura të rëndësishme të partisë kanë dhënë dorëheqje nga funksionet brenda organizatës. Mirëpo, paqartësi ende ka për pozicionimin e Ahmetit, i cili qysh në fillim ishte parë si një prej ‘të pakënaqurve’, porse më pas u zgjodh në Kryesi të VV’së.