‘Shpërthen lufta’ mes Albin Kurtit dhe Rrahman Jasharajt: Kapen në takim

Sot kryeministri Kurti priti në takim kryetarin e SBAShK-ut, z.Rrahman Jasharaj, i cili madje para disa ditësh e kishte kërcënuar me greva masive nëse ky takim nuk realizohej.

Vetë kryeminstri Kurti kishte deklaruar gjatë ditës së djeshme se ishte absurde që paga minimale në sektorin publik të ishte mbi 500 euro, me një rritje prej 100 eurosh në pesë vitet e fundit.

Kjo ishte një shpallje lufte ndaj z.Rrahman Jasharaj, i cili në pesë vitet e fundit ka arritur të fitojë çdo betejë sindikale me kryeministrat e mëparshëm të Kosovës. Jasharaj kërcënimet e tij edhe i kishte realizuar, dhe gjatë vitit të kaluar e kishte turpëruar në dy raste kryeministrin Haradinaj, shkruan Periskopi.

Vitin e fundit, greva e Jasharajt kishte zgjatur tri javë, ndërsa as pas një varg kërkesash të vazhdueshme nga ish kryeministri dhe ish ministri i arsimit për kompensim të orëve, kjo nuk ishte realizuar pasi Jasharaj kishte kërcënuar sërish me grevë për një gjë të tillë.

“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë, sot mësohet që takimi i Kurtit me Jasharajn dhe me katër kryesindikalistë të tjerë – – atë të zjarrfikësve, mjekëve, policëve, shëndetësisë dhe doganave – ka zgjatur plot një orë e gjysmë.

Problemi kësaj here kishte të bënte me Ligjin e Pagave i cili është pezulluar deri më datën 30 të këtij muaji.

Kurti nuk është deklaruar fare për media, por sindikalistët kanë qenë të ashpër.

Blerim Syla nga shëndetësia ka deklaruar se do t’i japin pak kohë qeverisë që të reflektojë, por se është brengosëse që qeveria nuk ka një plan B.

“Brengosëse që nëse nuk kalon ky ligj (dhe) nuk kemi një plan B nga qeveria, reagimet do te jenë të konsoliduara që situata mos të dal nga kontrolli dhe mandej të dalin edhe grupe anarkike të cilat nuk ia kisha deshiruar asnjë vendi”, u shpreh ai duke kërcënuar kësisoj me trazira.

Ndërkohë, Rrahman Jasharaj vetë ka shprehur haptas pakënaqësinë me takimin e sotëm që ka pasur me Kurtin.

“Nuk jemi të kënaqur me takimin, ngase ne kemi pritur të na garantohet buxheti i dëshiruar dhe i nevojshëm që do të jetë i planifikuar në mënyrë që të jetë mbështetje për funskionalizimin e ligjit të pagave. Ajo qe na u tha ato miliona nuk janë të mjaftushëm për ta implementuar ligjin e pagave”, tha z.Jasharaj.

Jasharaj ka deklaruar se qeveria duhet ta kuptojë që sindikatat janë partner social dhe zë i të punësuarve dhe jo armik i saj.

Ai ka kërcënuar sërish me greva dhe bllokadë të arsimit nëse Kurti nuk dorëzohet.

“Nëse vazhdohet kështu grevat janë të pashmangshme dhe kështu besoj edhe për koleget tanë”, tha më tej z.Jasharaj.