Shqipëria anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina.

Ministri në Detyrë deklaron se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.

Cakaj thotë se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.

Ministri në Detyrë Cakaj thekson se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. “Qëndrojmë së bashku,” përfundon Cakaj .

Një ditë më parë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera. Kosova refuzoi ftesën.