Shqipëria i kërkon zyrtarisht Apple që të paraqes Kosovën në “Apple Maps”

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka dërguar sot një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, Tim Cook.

Me anë të kësaj letre, Cakaj i kërkon këtij të fundit marrjen e masave të nevojshme, për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps.

Në bashkërendim të plotë me Ministren e Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, sot i kam dërguar një letër drejtorit ekzekutiv të Kompanisë Apple, z. Tim Cook, për t’i kërkuar marrjen e masave të nevojshme për të paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Kosovës në shërbimin e Apple Maps.

Republika e Kosovës është njohur prej shumicës së shteteve të botës demokratike dhe, ashtu siç ka vendosur vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Ndaj, presim që Apple Inc. të marrë vendimin e drejtë duke vendosur kufijtë e Republikës së Kosovës në hartat e shërbimeve të saj.

Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës në mënyrë të pakushtëzuar e në çdo rrethanë, ka thënë Cakaj.