“Shqiptarët s’i duan amerikanët”, si ia zbuti Kurtit pushteti qëndrimet për SHBA-të

Albin Kurti i Vetëvendosjes me gjasë të madhe do të jetë kryeministër i ri i Kosovës.

Partia e tij fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën të dielën, teksa pozita e tij përfundimtare në Qeveri pritet të vendoset pas zyrtarizimit të koalicionit me LDK-në e Vjosa Osmanit, shkruan lajmi.net.

Këtë javë, Kurti në zyret e tij pranoi zyrtarë të lartë ndërkombëtar.

Ndër të tjera, aty ishte edhe i dërguari special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbo, Richard Grenell.

Si mysafir të parë nga SHBA-të, Kurti në zyre e pati ambasadorin Kosnett. Ky i fundit ia dha një mesazh të qartë Kurtit për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

E në ambasadën e SHBA-ve, Kurti u takua me të dërguarin special të Trumpit, Richard Grenell.

Në njoftimin që lëshoi partia e Kurtit, u bë e ditur se kryetari theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Kosovës.

Në protestat që ai organizonte rreth 3 vite më parë, kishte deklarata krejtësisht ndryshe.

Thoshte se shqiptarët nuk i duan amerikanët, por se sipas tij e kanë frikën nga ndalimi i përkrahjes nga ta.

Sipas tij, shqiptarët nuk e duan as Amerikën si shtet.

“Nuk mendoj se shqiptarët i dojnë amerikanët, as Amerikën por mendoj që shqiptarët më shumë e kanë njëfar ankthi të mundësissë së braktisjes nga Amerika sesa që e dojnë Amerikën”, thoshte Kurti.

Kurti, që mbajti takime për të diskutuar rreth mundësisë se koalicionit me Vjosa Osmanin, kandidate për kryeministre nga LDK-ja, kishte pasur qëndrime ekstreme edhe sa i përket simboleve shtetërore të Kosovës.

Edhe për to, Kurti ka thënë se do t’i respektojë atëherë kur të vije në pushtet.

Sidoqoftë, flamurin shtetëror të vendit që ai me gjasë do ta udhëheqë, nuk e mban në zyrën aktuale të tij, atë të Vetëvendosjes.

Kjo thuhet të jetë edhe arsyeja që ambasadorët kryesorë, Christian Heldt dhe Philip Kosnett në takimin me Kurtin janë fotografuar para selisë së partisë, e jo brenda zyrës së tij.

Kur kanë mbetur pa u numëruar edhe votat me kusht dhe ato të diasporës, partia e Kurtit prinë me rreth 5 mijë vota para LDK-së.

E gjatë javës së ardhshme, pritet të përfundojë edhe numërimi i votave me kusht dhe ato të mërgatës, nga ku edhe do të dihet edhe rezultati final i zgjedhjeve të 6 tetorit.