Shtatë nxënës të “Elena Gjikës” dyshohet të jenë helmuar me sandviç

Shtatë nxënës të shkollës fillore “Elena Gjika”në Prishtinë dyshohet të jenë helmuar pas konsumimit të sandviçëve në bufenë e shkollës. Të njëjtit nxënës janë trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani, ka thënë se janë në pritje te analizave përfundimtare nga ana e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik, shkruan sot Koha Ditore.

“I kemi pesë nxënës në klinikën infektive, kështu jemi të informuar për momentin. Gjendja e tyre është stabile, mendohet që janë helmuar, po i presim analizat përfundimtare, me ditë saktë se nga çfarë janë helmuar”, ka thënë drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani. Sipas tij, nxënësit ushqehen në këtë bufe, pikërisht shkaku i sigurisë.

“Arsyeja e të ushqyerit në bufe është për shkak të sigurisë së nxënësve, mos me dalë në rrugë, që të mos takohen me të dy shkollat e tjera të mesme qe i kemi afër”, ka thënë Sylejmani. Ai ka thënë se bufeja përmban asortiment të paktë ushqimor.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Qendrës Infektive, Lindita Ajazaj –Berisha ka thënë se fëmijët janë duke u trajtuare ne Klinikën Infektive, porse ende nuk dihen shkaqet e helmimit të tyre. Ajo ka bërë të ditur se nxënësit janë të klasave të ndryshme.