Shtëpia e Xhim Belushit del në shitje, kushton 27 milionë dollarë (Foto)

Xhim Belushi, aktori dhe komediani amerikan me origjinë shqiptare, ka vënë në shitje vilën e tij në Los Angeles, stil mesdhetar për shumën 27 milionë dollarë.

Prona në lagjen Brentwood hidhet sot në treg, pasi u la pezull që prej nëntorit të vitit të kaluar kur u përpoq të shitej për 29.9 milionë dollarë.

Për aktorin Belushi, kjo është hera e tretë që mundohet ta vërë në shitje, kur për herë të parë në vitin 2017 vuri çmimin e kripur 38.5 milionë $.

Ai e bleu pasurinë e patundshme në vitin 2007 për vetëm 8.3 milionë dhe shembi shtëpinë e viteve 1950-të që ishte më parë atje, për të ndërtuar vilën që zotëron aktualisht.

Vila e cila është e madhe 1300 metra katrorë, ka 6 dhoma gjumi, 11 tualete dhe një dhomë për shijimin e verës; ka gjithashtu edhe kopshte te stilit mesdhetar, lëndina, oborre, një pishinë dhe një Jacuzzi.

Xhim Belushi është bërë i njohur për publikun me programin “Saturday Night Live” (në shqip: Mbrëmja e së shtunës live) në mes të viteve ‘80-të dhe serialin “Açording to Jim” ( në shqip: Sipas Xhimit) i cili u shfaq në televizionet amerikane prej vitit 2001-2009./shekulli