Shtyrja e afatit për regjistrimin e popullsisë, ASK jep detaje

Përmes një komunikate për medie, Agjencia e Statistikave së Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën.

ASK ka bërë të ditur se tashmë regjistrimi i popullsisë është shtyrë deri më 24 maj, duke dhënë detaje mbi Planin e veprimit.

“Meqenëse Regjistrimi i Popullsisë në terren, sipas Vendimin të Qeverisë të datës 21 nëntor 2023 ishte deri më 17 Maj 2024, bazuar në kërkesat e disa komunave dhe duke u bazuar në sistemin monitorues që ka ngritur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për ta monitoruar ecurinë e procesit, vlerësuam se mund të ketë individë, ekonomi familjare ose edhe ata që kanë refuzuar (për momentin) dhe kërkuam nga Qeveria një shtyrje të afatit të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) deri më 24 Maj 2024 që është aprovuar nga ana e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK thotë se gjatë kësaj periudhe, regjistrimi do të bëhet në çdo zonë regjistruese (fshat e komunë) të Kosovës dhe do të zhvillohen vetëm nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Po ashtu ASK bën thirrje për qytetarët që nuk janë regjistruar të kërkojnë të regjistrohen, duke inkurajuar ata që t’i kontaktojnë zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Lini një Përgjigje