Shumë kosovarë e shohin me mosbesim, Specialja tenton t’i afrohet popullit

46

Gjykata Speciale është e Kosovës, por në fakt në Kosovë nuk konsiderohet e tillë. Ka disa arsye pse kjo gjykatë konsiderohet si njëetnike e diskriminuese. Nga Haga, ndërkaq, tregojnë se po bëjnë përpjekje për të argumentuar për të kundërtën.

Gjykata Speciale duhej të bëhej. Këtë e thonë pothuajse të gjithë ata që ishin deputetë dhe në vitin 2015 i çuan duart për ta miratuar krijimin e kësaj gjykate. Prej atëherë, kjo gjykatë u cilësua si njëetnike dhe u akuzua se i diskriminon shqiptarët.

Besueshmërinë e kësaj gjykate më së shumti e ka dëmtuar rrjedhja e dokumenteve në vitin 2020, kur po përgatiteshin aktakuzat e para. Ato ishin dërguar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati u arrestua e më pas u dënua bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, për shkak e kishin vënë atë material në disponim të njerëzve në disa konferenca për shtyp. Ata në maj të këtij viti u dënuan nga Specialja me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh.

Proceset e stërzgjatura paragjyqësore e shkresat e Prokurorisë i kanë indinjuar jo pak njerëz në Kosovë. Gjithashtu, askush më nuk pret që kjo gjykatë do t’i gjykojë të gjitha krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera që janë kryer midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, pavarësisht se kush ka qenë autor i tyre – siç premton Specialja – edhe pse ligji me të cilin u themelua e detyron që të mos i gjykojë vetëm shqiptarët.

Nga Gjykata Speciale kanë pohuar se s’do të gjykohen vetëm shqiptarët, por ndërsa besueshmëria duket sikur ka humbur, ka një angazhim për ta (ri)fituar atë.

“Për t’u dhënë njerëzve në Kosovë mundësinë për të bërë pyetje dhe për t’u angazhuar në një dialog me përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, ekipi informues i Dhomave të Specializuara ka udhëtuar në Kosovë pothuajse çdo muaj për t’u takuar me komunitete të ndryshme në mbarë Kosovën, për të shpjeguar mandatin dhe punimet e institucionit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës Speciale për Gazetën Express.

Po ashtu, bëhet e ditur se drejtorët e Dhomave të Specializuara, kryetarja dhe sekretari kanë qenë shumë të angazhuar në takimin e programit informues me shoqërinë civile dhe mediat në Kosovë, në përpjekje për t’i sjellë procedurat para gjykatës “më afër popullit në Kosovë”.

“Deri më tani, Dhomat e Specializuara kanë realizuar mbi 130 takime ndërvepruese me audiencën në Kosovë, duke u angazhuar drejtpërdrejt me rreth 3000 persona”, thuhet në përgjigje.

Edhe në Serbi janë të bindur se Gjykata Speciale s’do ta gjykojë askënd përveç shqiptarëve. Në Beograd kishte pasur disa herë deklarata se Specialja shërbehej me informata nga Serbia.

I tillë ishte rasti kur politikani serb, Milovan Drecun kishte pohuar diçka të tillë. Ai kishte deklaruar se i kishte dhënë Speciales “fakte për burgjet ilegale të UÇK-së”. Drecun kishte thënë se e posedon listën e dokumenteve dhe fakteve që ua ka dhënë Gjykatës Speciale dhe prej tyre tha se janë ngritur aktakuza ndaj shqiptarëve.

Në shtator 2020, Drecun kishte thënë se kishte marrë mirënjohje nga prokurori i specializuar, David Schwendiman për ndihmën që ia kishte dhënë në këtë çështje Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Drecun i kishte shërbyer me zell ish-presidentit të Serbisë dhe ish-komandantit suprem të forcave të armatosura serbe që bënë krime të paimagjinuara e gjenocid në Kosovë e Bosnjë, Sllobodan Millosheviq, i cili ishte dënuar me 40 vjet burgim nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

Nga Specialja vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta (ri)fituar besimin. Thonë se po angazhohen konsiderueshëm për t’i bërë procedurat para gjykatës sa më transparente dhe të qasshme dhe për të garantuar njëkohësisht sigurinë dhe mirëqenien e dëshmitarëve dhe viktimave. Seancat gjyqësore mund të ndiqen ‘live’ dhe në tri gjuhë (shqipe, serbe, angleze) dhe publikohen në YouTube pas përfundimit. Dokumentet po ashtu janë publike, përfshirë parashtresat e Mbrojtjes dhe Prokurorisë e vendimet e gjykatës.

Në këtë përpjekje për ri(fitimin) e besueshmërisë, Specialja po ashtu prodhon videoklipe të shkurtra informative.

“Ne besojmë se duke qenë sa më transparentë, njerëzit do të shohin që gjykimet para gjykatës zhvillohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të sigurt, duke siguruar që dëshmitarët të jenë të sigurt, zërat e viktimave të dëgjohen dhe të drejtat e të akuzuarve janë të respektuara”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Partia Socialdemokrate ka protestuar disa herë kundër aktiviteteve të Gjykatës Speciale në Kosovë. Para dy muajsh, Specialja e detyrua ta anulojë një takim të kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova në Gjilan, pasi PSD-ja kishte paralajmëruar protestë.

Protesta ndaj një vizite së saj në Kosovë ishin realizuar edhe në shtator të vitit të kaluar nga e njëjta parti politike.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parasheh që nën juridiksion të Gjykatës Speciale të hyjnë krimet me viktima apo autorë të etnive të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ku hyjnë shqiptarët, serbët, maqedonët, malazezët, boshnjakët e sllovenët.

“Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat fizik sipas dispozitave të këtij ligji. Në përputhje me juridiksionin e personalitetit aktiv dhe pasiv të gjykatave të Kosovës sipas ligjeve penale të zbatueshme që kanë qenë në fuqi në mes të periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, dhe përveç juridiksionit të tyre territorial të paraparë në nenin 8, Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë Kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thuhet në nenin 9 të këtij ligji.

Deri më tani, Gjykata Speciale po i gjykon vetëm shqiptarët. Tetë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, janë shqiptarë, ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).