Shumë skuadra të mëdha pas tij, Muriqi flet rreth të ardhmes

Vedat Muriqi është futbollisti shqiptar më në formë.

Sulmuesi nga Kosova ka shkëlqyer me fanellën e Fenerbahçes në fillim të këtij edicioni, mirëpo paraqitje fantastike ka pasur edhe me Kosovën.

Në dy ndeshjet e muajit shtator, prizrenasi ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime.

E falë paraqitjeve të mira, mediat evropiane kanë raportuar se për të interesim kanë shfaqur skuadra të mëdha si Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid, Lazio, Napoli e Fiorentina.

“Nëse jam duke bërë ndeshje të mira dhe duke shënuar gola, nuk është vetëm për meritën time. Suksesi nuk është vetëm i imi, por i të gjithë ekipit”.

“Nuk kam oferta për t’u transferuar në ndonjë skuadër tjetër”, ka thënë Muriqi për mediat turke.

25-vjeçari ka thënë se momentalisht është i fokusuar vetëm tek skuadra e tij aktuale Fenerbahçe.

“Jam i fokusuar te Fenerbahçe pasi synojmë të bëjmë një sezon të madh. Momentalisht po mendoj vetëm për ndeshjen ndaj Alanyas”, përfundoi reprezentuesi kosovar.