Si dhe pse u krijua nga serbët miti mbi Betejën e Kosovës (1389)?!

0
133

Shkruan: Dr. Sci. Izet Miftari

Në artikullin e gazetës “Scipetari” (Albanenzul) të Nikolla Naços më 1889, përveç të tjerave shkruan: “Në këta minuta që po shkruajmë këta radhë, është duke u bërë festa në Kosovë të Shqipërisë, festa e pansllavistëve që për 500 vjet që në kohë të luftës ndërmjet të turqve dhe serbëve, luftë të cilën e fituan turqit në Ballkan. Shumë komitete sllave nga Bullgaria, nga Serbia, nga Mali i Zi, dhe nga më shumë vise të Ballkanit, nga Rusia dhe nga Austro-Hungaria, thonë se janë ardhur në Shqipëri për këtë qëllim. Për çudi kjo është festë ndër shqiptarë, vlleh dhe turq të Ballkanit…. Kjo festë që po del në shesh sot po sjellë më shumë erë ortodoksie pansllaviste, se sa festë e kombit, dhe me zemër të pastër nga anë e Serbisë, sikur duket nga shkrimi ditor sllav!… Se ç’ duan serbët t’i rrëfejnë botës me këtë veprim, i cili nuk ka asnjë qëllim të pastër? Ç’kanë mbuluar serbët në Kosovë, që të kenë arsyen të përmisojnë e ta zbulojnë tani me kaq zhurmë? Lavdinë e kombit? Po kjo e knjaz Llazarit, që u vra në Kosovë, nuk është më: ai humbi, që atëherë, vetëm njëherë më parë kur vdiq princi (i) tyre, Dushan. Mësim? Nuk kanë pasur serbët asnjëherë. Lavdinë e luftës? Dhe kjo nuk është përveç se lavdia e turqve që mundën sllavët dhe elanët (grekët – ortodoksit), në Gadishullin e Ballkanit. Çfarë qëllim ka të fshehur e gjithë kjo festë pansllaviste me kaq dogma”?

Pra, nga ky shkrim, kuptojmë se qëllimet pansllaviste kanë qenë që përmes formave të ndryshme, të realizojnë qëllimet pushtuese.

Sikurse mitet e tjera për Kosovën, propaganda serbe, gjatë shekullit XIX, kishte krijuar edhe mitin mbi Betejën e Kosovës (1389), që ishte një version i tillë për t’u dyshuar që në fillim të krijimit të tij. Disa kisha ortodokse aty-këtu mund të kenë kremtuar 15 (18) qershorin si ditë të Shën Vitusit (Vidovdan), megjithëse në kalendarin zyrtar të kishës ortodokse, kjo ditë i kushtohej profetit Amos, personalitet i Biblës, përkatësisht Besëlidhjes së Vjetër. Por, vetëm në shekullin XIX festa e Shën Vitusit figuronte formalisht në kalendarin ortodoks serb. Prandaj, ideja e kremtimit kombëtar të 15 qershorit (28 qershorit), pra ditës kur u zhvillua Beteja e Kosovës, në fakt nga qarqet e caktuara ortodokse dhe joortodokse serbe, është e krijuar gjatë shekullit XIX. Çfarë mund të kuptojmë nga kjo? Se qarqet e caktuara të fesë, shkencës dhe qeverisë serbe, kishin filluar një propagandë të fuqishme, me qëllim që të përgatitnin si opinionin serb ashtu edhe atë ndërkombëtar, për kinse të drejtën e tyre historike të ripushtimit të Kosovës. Kështu, përmes këtyre mekanizmave falsifikues, mundoheshin ta arrinin qëllimin kryesor, pushtimin e Kosovës, por njëkohësisht edhe ta arsyetonin dhe ta legjitimonin këtë veprim para faktorit ndërkombëtar.

Këngët epike serbe për Betejën e Kosovës datojnë nga shekulli XVII. Ka indikacione se jenë krijuar menjëherë pas betejës, por që, pas dështimit të koalicionit ballkanas, për një kohë të gjatë u harruan. Në këngët epike nuk mund të gërshetohen vetëm elemente serbe, sepse ka shumë fakte, se në kuadër të këtyre këngëve epike janë të përfshirë edhe shqiptarët e besimit ortodoks. Andaj, tek në shekullin XIX, nën ndikimin e pansllavizmit, krejt tradita, epika dhe këngët mbi këtë betejë, që ishin krijuar në shekujt e mëparshëm, pa marrë parasysh se nga kush ishin krijuar, iu atribuan padrejtësisht serbëve. Kjo bëhej qëllimisht se kinse ato i ka krijuar tradita popullore serbe.

Në lidhje me këtë çështje Malkom shkruan: “Ideja se kjo traditë e poezisë popullore e frymëzoi thelbin e një lloji të veçantë të vetëdijes historike kombëtare të serbëve, është në fakt, një produkt i shekullit XIX. Shkrimtarët nacionalistë, si edhe krijuesit e kombit, si Vuk Karaxhiqi (një mbledhës me ndikim i krijimtarisë popullore serbe të fillimit të shekullit XIX dhe përpilues i një fjalori), apo dhe Petar Petroviq – Njegosh (poet dhe princ – sundues i Malit të Zi, poema epike e famshme e të cilit “Kurora e maleve”, u botua me 1847), mblodhën elementet e gojëdhënave popullore të Kosovës dhe i shndërruan ato në ideologji kombëtare. Dhe kjo nuk duhet të na habisë. Shekulli XIX ishte ajo periudhë në të cilën po zhvilloheshin identitetet kombëtare në shumë pjesë të Evropës: në rastin e Serbisë, vetë ideja e krijimit të një territori të pavarur kombëtar, e nënkuptonte patjetër edhe idenë e ngritjes kundër ose të shpalljes së luftës kundër turqve osmanë”.

Në fushatën e krijimit dhe kremtimit të përvjetorit të Betejës së Kosovës, filluan të merren në mënyrë intensive edhe qeveritarët, përkatësisht dinastia mbretërore serbe në atë kohë, dinastia e Obrenoviqëve. Kështu, pas shpalljes së “Mbretërisë së Serbisë“, më 1882, u bënë përpjekje të veçanta nga qeveria, me qëllim që kremtimi i kësaj beteje më 1889 (500 vjetori) të shndërrohet edhe në inspirim të bashkimit (pushtimit të Kosovës!) kombëtar, përkatësisht të aspiratave kombëtare dhe të fatit të mbretërisë. Kështu, në kuadër të këtyre manifestimeve, në filmin e parë që u xhirua në Serbi Kurorëzimi i mbretit të parë, më 1904, kineasti nga Anglia, Frenk Motersho, u bind të përfshinte në film edhe aktorë me veshje të kostumeve mesjetare, e që kishin paraqitur Millosh “Obiliqi”, nëntë (devet) vëllezërit “Jugoviq” (nëntë vëllezërit e Milicës, gruas së princ Llazarit), dhe natyrisht, edhe vetë princ Llazarin.

Nga e gjithë odisejada e krijimit të miteve për Kosovën, të materializuara gjatë shekullit XIX, asnjë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më domethënës se sa miti i “Përbetimit të Kosovës”. Hiperbolizimi i Betejës së Kosovës, si dhe hipnotizimi i serbëve, deri në atë shkallë kishte shkuar, veçanërisht i të rinjve serbë, sa që përmes saj, nacionalistët serbë mundoheshin edhe ta përcaktonin popullin serb, si popull i ”përzgjedhur” i Zotit. Kështu, në mitet serbe thuhet se princ Llazarit i ishte ofruar mundësia të zgjidhte në mes të mbretërisë tokësore dhe asaj hyjnore, derisa, thuhet në këngët dhe poezitë mitologjike, se ai (Llazari) zgjodhi të fundit (hyjnoren). Kjo këngë e folklorit serb paraqitet në një këngë të mbledhur nga Vuk Karaxhiqi, me titull Rënia e Perandorisë Serbe.

Qëllimin e krijimit të mitit për betejën këtë betejë e zbërthen studiues anglez, Noel Malkolm. Ai shkruan: “Nuk ka kurrfarë dëshmish që të vërtetojnë se ndonjë serb të ketë marrë idenë e veçantë të “Përbetimit të Kosovës” nga këto figura (…) të zakonshme retorike para shekullit XIX. Por, edhe atëherë, zbatimi i konceptit të kësaj “Mbretërie Hyjnore”, duhet të ketë qenë mjaft problematik, ngaqë ideologjia kombëtare, të cilën ajo e manipulonte ishte shumë më tepër e interesuar për ekspansion territorial të një mbretërie tokësore – dhe ç’është e vërteta, mbi të gjitha, ishte e interesuar që ajo të shtrihej në vetë Kosovën. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, pa marrë parasysh se a ka kuptim apo jo, “Përbetimi i Kosovës” është bërë objekt i një besimi thuajse fetar në një sërë qarqesh. Sipas fjalëve të një historian të njohur serb: “Përbetimi i Kosovës” – zgjedhja e lirisë në “Perandorin Hyjnore”, në vend të përuljes në robëri, në botën e përkohshme, mbetet ende një hallkë e përhershme që i frymëzon serbët me ndjenjën e entitetit kombëtar”.