S’i pëlqen deklarata për targat, Petkoviq e quan kërcënues të dialogut ambasadorin gjerman

88

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se vendimi i Kosovës për çështjen e targave apo kthimit të tyre në RKS, është legjitim, por sipas tij, afati kohor prej dy muajsh është shumë i shkurtër.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka quajtur ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kërcënues të procesit të dialogut Kosovë-Serbi pas deklaratave të fundit që diplomati gjerman bëri mbi vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Rohde ka thënë se vendimi i Kosovës për çështjen e targave apo kthimit të tyre në RKS është legjitim.

Por, kjo deklaratë s’i ka pëlqyer Petkoviqit, i cili tha se ambasadori gjerman “duhet t’i kishte lexuar” marrëveshjet e mëparshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vendimi i Prishtinës për heqjen e targave të Serbisë është i paligjshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjet për lirinë e lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016 dhe kushdo që e mbështet atë vendim – drejtpërdrejt kërcënon procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq.

Rohde në RTV Dukagjini ka deklaruar se edhe pse vendimi është legjitim, afati kohor prej dy muajsh është shumë i shkurtër.

“Siç e thashë, duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion, dhe mendoj se 2 muaj, janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshojë lejen e vozitjes, dhe kam pasur 4 vite kohë. Ende nuk e kam ndryshuar, dhe e di se duhet ta bëjë së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standardet evropiane. Dhe do të thosha se 2 muaj, janë pak”, ka thënë Rohde.

Gjithashtu, ambasadori gjerman ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës njëjtë siç është edhe çështja e targave dhe kartave të identitetit që është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Por, Rohde ka theksuar se për të është mjaft e qartë se nuk do të ketë mundësi që në Kosovë të krijohet një “Republika Srbska”, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë.