Si u ekzekutua vrasësi serial nga Forcat Speciale, i cili e vrau dhe djalin e tij 26 vjeç

Tomë Begeja, djalit të cilit pas 17 vitesh iu vendos një sasi tritoli në derën e shtëpisë, ishte një person i shumëkërkuar në vitet 2000.

53-vjeçari nga fshati Kukël u ekzekutua nga Policia në korrik të vitit 2002, pasi bëri rezistencë gjatë një aksioni për kapjen e tij. Begeja dyshohet se nga viti 1993 dhe deri atëherë, kishte vrarë 5 persona dhe kishte tentuar të vriste një tjetër. Mes viktimave ishte dhe një prej djemve të tij.

Tomë Begeja ishte baba i katër fëmijëve, ndërsa dënimi për të kishte nisur që në vitin 1986 për armëmbajtje pa leje. Vrasja e parë dyshohet se ka ndodhur në vitin 1993, teksa la të vdekur shtetasin Rrok Filaj, i cili ishte roje i dyqaneve në fshatin Kukël, vrasje që dyshohet se erdhi për motive grabitjeje. Pas kësaj vrasjeje, Tomë Begeja nis të fshihet në fshatrat përreth për t’i shpëtuar Policisë.

Tomë Begeja bën edhe një vrasje tjetër dhe në vitin 2000, Gjykata e Lezhës e dënon me 10 vjet burg për vrasjen e shtetasit Lazër Kola. Po në vitin 2000 merr edhe një dënim tjetër për vrasjen e shtetasit Hilë Nikolla. Në vitin 2000, Tomë Begeja vret edhe djalin e tij 25- vjeçar, Gjeton.

Pasi i kërkoi të birit që të vriste elektricistin, me të cilin kishin probleme, djali e kundërshton dhe në debat e sipër 53-vjeçari qëllon djalin e tij. Sërish është viti 2000, kur Tomë Begeja për motive hakmarrjeje ndjek 30-vjeçarin Dashamir Çeka për ta vrarë. Ky i fundit futet në një banesë aty afër.

E zonja e shtëpisë, Majlinda Qerreti, kërkon të mos e lejojë të futet në banesën e saj, por Tomë Begeja qëllon 26- vjeçaren shtatzënë, e cila ndërron jetë në spital dhe më pas futet brenda, vret edhe Dashamir Çekën dhe largohet, duke i shpëtuar kështu Policisë. VRASJA Forcat e Policisë kishin tentuar 3 herë ta arrestonin, por nuk ia kishin dalë, derisa prej 45 ditësh u mbajt nën vëzhgim dhe 35 forca speciale erdhën nga Tirana, duke rrethuar ndërtesën trekatëshe në fshatin Kukël të Tomë Begesë. Ky i fundit nuk pranoi të dorëzohej dhe nisi të qëllojë me breshëri automatiku. Policia iu kundërpërgjigj dhe pas 10 minutash shkëmbim zjarri, Tomë Begeja mbetet i plagosur në oborrin e shtëpisë. Policia e dërgon në Spitalin e Lezhës, por aty ndërron jetë si pasojë e plagëve. Efektivët gjetën në banesën e tij një arsenal armësh, ndërsa në trup kishte një gjerdan me tri krehra automatiku me fishekë, granata dore dhe dylbi. Ishte një nga personat më të rrezikshëm asokohe, derisa e ekzekutoi Policia.

Plani për kapjen e tij së fundi, dihej vetëm nga krerët më të lartë të Policisë së Shkodrës. Qëllimi ishte që të kapej i gjallë, por terreni i vështirë dhe fakti që në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, djali i tij i martuar bashkë me gruan dhe 3 fëmijë, bëri që Policia të ishte e kujdesshme në veprimet e saja, që të mos dëmtoheshin të tjerët. Në një interval të shkurtër kohor, Begeja filloi të qëllojë me breshëri automatiku për të çarë rrethimin, pasi nuk dallonte dot Policinë.

Kjo e fundit i është përgjigjur me zjarr dhe për rreth 10 minuta kanë qëlluar me breshëri të dyja palët. Begeja tentoi të largohej duke qëlluar në lëvizje, ndërsa plagoset pak metra larg oborrit të shtëpisë së tij. Policia e dërgon në spitalin më të afërt, atë të Lezhës, ku si pasojë e plagëve të marra, ai ndërron jetë. Begeja ishte tepër i rrezikshëm, mbrohej me kujdes. Ai vepronte kryesisht pa bashkëpunëtorë.

Vitet e fundit ishte larguar dy herë drejt Italisë. Kryesisht strehohej në stanet në mal të Jushit dhe nga banorët e zonës, sidomos në periudha trazirash, shihej tek vendoste mitralozin në faqe të malit dhe me dylbi kontrollonte gjithë rrugët hyrëse të Kukëlit e Barbullushit.

Vrau djalin e tij, se s’pranoi të ekzekutonte elektricistin

Tomë Begeja mund të cilësohet pa frikë si një nga vrasësit më mizorë të 30 viteve të fundit. Banori i fshatit Kukël numëronte 5 persona të vrarë, mes të cilëve djalin e tij dhe një grua shtatzënë.

Vrasja e të birit erdhi pasi i kërkoi që të qëllonte elektricistin, me të cilin kishin probleme. Por djali e kundërshton dhe në debat e sipër, babai e qëlloi për vdekje. Pas kësaj vrasjeje mizore, Tomë Begeja do të kryente një tjetër vrasje të pashpirt. Ai do të ekzekutonte një grua 26 vjeçe shtatzënë, ndërkohë që ishte në ndjekje të bashkëshortit të saj për ta ekzekutuar për hakmarrje./PANORAMA/