Sindikata e Muzeut Kombëtar, reagon lidhur me emërimin e drejtorit të ri

0
236

Sindikata e  Muzeut Kombëtar të Kosovës  në takimin e mbajtur me datë 23.08.2019, pas gjendjes së krijuar, me emërimin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës shprehim shqetësimin tonë lidhur me ecurinë e procesit në fjalë. Zgjedhja  e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është bërë mbi  bazën e respektimit të procedurave ligjore dhe përformancës së kandidatëve, por mbi baza politike (partiake) dhe nepotike, duke shkelur mbi parimet ligjore të përcaktuara me ligjet në fuqi. Ky proces  fillojë të degradohet nga periudha  e hartimit të rregullores  15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore dhe me theks të veçantë statuti i MKK-së, i cili është hartuar dhe miratuar pa konsultimin  e punëtorëve të MKK-së  dhe si i tillë është i hartuar me përmbajtje komplet politike.

Gjatë gjithë procesit të rekrutimit kishte shkelje në zhvillimin e procedurave si:

1. Procesi i rekrutimit në karrierë i zhvilluar si procedurë e parë, nuk është zhvilluar sipas procedurave të rregullores nr. 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civil.

2. Organizimi i testit me shkrim kishte karakter selektues, duke hartuar pyetje jo profesionale të pa-artikuluara drejtë dhe me tendencë të manipulimit politik. Po ashtu edhe vlerësimi i testit u manifestua me ndërhyrje të plotë politike.

3. I gjithë procesi degradoi me organizimin e intervistës dhe rrjedhimisht me publikimin e rezultateve përfundimtare, ku është caktuar Drejtor i MKK-së,  anëtari i PDK-së dega në Drenas, kandidati me përformancë më të dobët dhe jo-profesional, në kundërshtim me statutin të cilin e kishin  përpiluar vet Këshilli Drejtues i MKK-së.

Kryesia e Sindikatës vlerëson se Muzeu vazhdon të mbetet në udhëkryqe,  duke u ofenduar dhe degraduar  në mënyra dhe forma të ndryshme nga partitë politike të cilat e drejtuan MKRS-në, e së fundi edhe nga PDK-ja.

Me këtë rast,  Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës i bënë thirrje Ministrit në detyrë të MKRS-së z.Kujtim Gashit;

  1. Ta shkarkojë urgjentisht  Këshillin Drejtues aktual, për shkeljet me rastin e zhvillimit të procedurave të rekrutimit për Drejtor të MKK-së

2. Të kërkojë anulimin e konkursit për Drejtor te MKK-së

3. Të filloj me rishikimin e dokumenteve ligjore që kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë profesionale dhe shkencore në Muzeun Kombetar të Kosovës

4. Të ndalen emërimet partiake të cilat e degradojnë institucionin më të lartë të identitetit të trashëgimisë kulturor.

Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës,  përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdoi të kërkoi respektimin e kërkesave në fjalë përmes rrugës ligjore dhe formave tjera protestuese.

Me nderime Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës.