Sindikata e Telekomit: Shpalleni fundin e kontratës me Devollët, ose hyjmë në grevë

Telekomi ka bërë të ditur se nuk do t’ia vazhdojë Z- Mobile-it edhe për 10 vjet të tjera kontratën që i kushtoi miliona euro humbje çdo vit kompanisë publike.

Megjithatë, një njoftim të tillë nuk e ka bërë ende publik. Sindikata e PTK-së i ka vënë ultimatum menaxhmentit që ta publikojë një vendim të tillë, në të kundërtën paralajmërojnë grevë dhe se konsumatorëve të Z-Mobile nuk do t’i ofrojnë asnjë shërbim. Gazeta Express i ka siguruar dokumentet që iu janë përcjellë ministrit Valdrin Lluka, kryeshefit Bedri Istrefi dhe drejtoreshës së bordit.

Pas raportimit të Gazetës Express rreth kërcënimit të fundit që kompania e Blerim Devollit ia ka bërë kompanisë publike, Telekomit, duke e dërguar te përmbaruesi, Sindikata e PTK-së ka bërë të ditur se do të vazhdojnë me grevë.

Ky paralajmërim i tyre ka ardhur edhe pasi PTK-ja nuk e ka bërë ende publik njoftimin se nuk do ta vazhdojë kontratën me “Dardafonin” e Blerim Devollit.

Në një dokument, të cilin e ka siguruar Express, e që iu është dërguar kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefit, dhe shefes së bordit, Besa Shatrit, për ta vënë në dijeni edhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën, kanë bërë të ditur se në grevë do të shkohet nga fundi i këtij muaji.

Krejt kjo sipas FSP-PTK-së do të bëhet duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në kompaninë tonë lidhur me kontratën e Z-Mobile’it që skadon me 30 korrik.

“FSP-PTK tashmë zotëron analiza të mjaftueshme profesionale, të cilat njëzëri dokumentojnë dëmet prej afër 200 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës ka pësuar nga kontrata 10-vjeçare me Z-Mobile: analizën e kompanisë “Mazars”, Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Telekomin e Kosovës si dhe raportin e ekspertëve të VALA-s, të angazhuar nga sindikata”, shkruhet në këtë letër.

Tutje, theksohet se kërkesat e sindikatës nuk janë plotësuar e se menaxhmenti nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për çfarëdo kontrate të re me Z-Mobile.

Menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve në Telekom iu është vënë ultimatum nga sindikata që nëse nuk bëhet publik njoftimi për përfundim të marrëveshjes me Devollët, do ta aktivizojnë këshillin grevist.

Në fund, është bërë e ditur nëse njoftimi nuk lëshohet më së largu deri më datën 30 korrik, konsumatorëve të Z-Mobile nuk do t’iu ofrohet më asnjë shërbim.

Kujtojmë që dje kompania e udhëhequr nga Blerim Devolli e ka dërguar te përmbaruesi Telekomin, duke kërkuar fshirje të borxhit prej 25 milionë eurosh, pasi palët dështuan të arrinin një marrëveshje që po bëhej me ndërmjetësimin e Qeverisë së Kosovës.