Sindikata e Trepçës reagon ashpër ndaj deklaratës së Kocijançiq

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, që Trepça do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë.

Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon direkt sovranitetin e Republikës së  Kosovës, si dhe Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës, këto reagime në emër të gjithë Sindikatës i ka bërë kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqri Sadiku, përmes një postimi në Facebook.

“Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës reagon ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic që Trepça të jetë si temë diskutimi në dialogun në Bruksel. Trepça është e minatorëve, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sadiku.