Sipas Hahnit, marrëveshja Kosovë-Serbi do t’i ketë qindra faqe

Deklarata e Johannes Hahnit se shpreson për vazhdimin e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi si dhe vlerësimi i tij se marrëveshja ndërmjet dy vendeve do të ketë qindra faqe, tregon se BE-ja po përpiqet të tregojë se është lojtari kryesor në skenën botërore, shkruan gazeta e Beogradit “danas” duke u thirrur, siç thotë, në burime diplomatike jozyrtare nga Perëndimi.

Burime të kësaj gazete theksojnë se retorika e Hahnit nuk do të thotë “se tashmë është arritur marrëveshja ndërmjet dy vendeve, por se zyrtari i Brukselit ka folur përgjithësisht për atë që Unioni dëshiron, që marrëveshja të arrihet deri në fund të këtij viti“, transmeton Koha.net.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi ende nuk ekziston, e kur ajo të bëhet, pa dyshim se do të jetë shumë voluminoze, sepse duhet të zgjidhen shumë çështje – që nga ato të përditshmet deri te çështjet më të mëdha politike, ashtu që Hahni ka të drejtë tek thotë se marrëveshja do t’i ketë qindra faqe”, kanë sqaruar bashkëbiseduesit për gazetën.

Sipas pohimeve të diplomatëve, zyrtarë si Hahni dhe shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, e cila është ndërmjetëse në dialogun Kosovë-Serbi, “edhe më tej shpresojnë, përkundër ngecjes disa mujore, për shkak të taksës ndaj mallrave serbe, marrëveshja mund të arrihet gjatë vitit 2019, marrë para sysh se në nëntor skadon mandati i institucioneve aktuale të Brukselit”.