Sistemi zgjedhor në Kosovë dhe reformimi i tij!

Shkruan: Bujar Klinaku

Shpeshherë shtrohet çështja se cili prej sistemeve zgjedhore është më i miri për një shtet?Nuk ka një sistem të vetëm të zgjedhjeve që u përgjigjet njësoj të gjitha shteteve. Nuk ekziston një mënyrë e duhur e krijimit të sistemit elektoral. Shtetet mundohen që sistemin ta hartojnë në mënyrë që të jetë sa më funksional për shoqëritë e tyre. Për më tepër, sistemet politike dhe proceset zgjedhore u nënshtrohen faktorëve historikë, politikë, kulturorë dhe religjiozë. Mënyra më e mirë për përcaktimin e sistemit zgjedhor në një shtet është hapja e debateve publike dhe marrja e opinioneve të shoqërisë civile dhe ekspertëve të sistemeve zgjedhore për përcaktimin adekuat të sistemit zgjedhor.

Profesori Josep M. Colomer ka thënë, se: “sistemi efektiv elektoral për një qeveri demokratike përfaqësuese duhet të ketë rregulla për të dyja palët, si për përfaqësimin e partive ashtu edhe për përfaqësimin personal”.

Kosova ka kaluar nëpër një tranzicion demokratik të trazuar dhe shumë të dhunshëm, i cili ka rezultuar me sisteme politike të paqëndrueshme, të dominuara nga partitë politike. Përfaqësimi partiak dominon mbi përfaqësimin personal. Partitë dominojnë mbi institucionet. Partitë e forta në kombinim me institucionet e dobëta janë duke e dëmtuar sundimin e ligjit. Udhëheqësia partiake është duke imponuar pushtet të fuqishëm, por në mungesë të legjitimitetit. Për shkak të sistemit elektoral, përfaqësuesit janë më të përgjegjshëm ndaj udhëheqësisë partiake se sa ndaj qytetarëve të cilët i votojnë ata. Në mënyrë që të kemi përfaqësues më të përgjegjshëm, në mënyrë që të kemi udhëheqësi më të përgjegjshme partiake, zyrtarë shtetërorë më të përgjegjshëm, ne duhet të kemi më shumë parti politike të demokratizuara. Qytetarët janë në kërkim të një ndikimi më të fuqishëm në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Kurse, anëtarët e partive politike kanë nevojë që të shtrijnë ndikimin e tyre më tepër në proceset e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të parlamentit dhe përzgjedhjen e udhëheqësisë së partive.

 Sistemi aktual zgjedhor në Kosovë

Kosova është Republikë Parlamentare, ku votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë çdo katër vite. Kuvendi ka 120 deputetë, ku 100 deputetë futen në parlament përmes përfaqësimit proporcional të zgjedhur me votim të fshehtë, bazuar në listat e hapura, kurse 20 vende shtesë janë të rezervuara për deputetët e pakicave kombëtare. Tek vendet e rezervuara shpërndarja bëhet si në vijim: 10 vende për komunitetin serb, 4 vende për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, 3 për komunitetin boshnjak, 2 komunitetin turk dhe 1 për komunitetin goran.

Pragu zgjedhor për parti, koalicione dhe kandidatë të pavarur është 5% e votave të përgjithshme, ndërkohë që për partitë që përfaqësojnë pakicat kombëtare nuk ka prag zgjedhor.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (Neni 111.2) përcakton që njëqind (100) vendet e Kuvendit ndahen në bazë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme që i ka fituar çdonjëri subjekt politik, në mesin e subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë, dhe në mesin e subjekteve politike që nuk përfaqësojnë komunitetin serb dhe komunitetet joshumicë që kanë fituar së paku pesë 5% nga numri i përgjithshëm i votave të vlefshme në zgjedhjet për Kuvend. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të fituara nga çdonjëri subjekt politik në zgjedhjet për Kuvend pjesëtohet me 1, 3, 5 e kështu me radhë derisa numri i pjesëtuesve të shfrytëzuar t’i përgjigjet numrit të plotë të vendeve. Kjo metodë e ndarjes së vendeve është e njohur ndryshe edhe si formula Sainte-Laguë, ku sipas saj ndarja e mandateve bëhet në mënyrë proporcionale me anë të koeficientit. Numri total i votave të partisë pjesëtohet me numrin e vendeve që partia i ka të ndara, që fillimisht është 0 për të gjitha partitë. Partia me koeficientin më të lartë merr vendin e radhës dhe pastaj i rikalkulohet koeficienti i ri derisa të shpërndahen të gjitha mandatet.Mangësi e kësaj metode është, sepse favorizohen partitë e mëdha.

Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2001 dhe 2004, votimi për deputetë është bërë me sistem proporcional me lista të mbyllura. Një hap pasoi në vitin 2007, kur zgjedhjet parlamentare u zhvilluan me lista të hapura dhe zgjedhësit mund të votonin deri në 10 kandidatë. Parregullësitë që u shfaqën gjatë këtyre zgjedhjeve pjesërisht iu mveshën zgjedhjes së 10 kandidatëve në një fletëvotim. Numri i madh i kandidatëve për t’u votuar krijoi konfuzion në mesin e votuesve dhe e rriti numrin e fletëvotimeve të pavlefshme.

Ndryshimet e fundit në sistemin zgjedhor u bënë në vitin 2010. Në përpjekje për t’i zvogëluar parregullësitë gjatë votimit, numri i kandidatëve që mund të votoheshin u zvogëlua nga 10 në 5.

Krahasimi me vendet e rajonit

Shqipëria-Kuvendi i Shqipërisë ka gjithsej 140 ulëse parlamentare, ku të gjithë deputetët e parlamentit zgjedhën përmes garave proporcionale në 12 zona zgjedhore të cilat janë njëkohësisht të definuara sipas 12 qarqeve administrative të Shqipërisë. Garat proporcionale në rajone bëhen përmes listave të mbyllura të partive dhe koalicioneve, ndërsa numërimi bëhet sipas formulës D’hondt. Pragu zgjedhor për partitë në çdo zonë zgjedhore është 3% , ndërsa për koalicionet është 5%. Republika e Shqipërisë nuk ka provizione favorizuese për pakicat kombëtare dhe nuk i jep të drejta speciale votës së diasporës.

 Kroacia- Pretenduesit për t’u bërë deputetë në Kroaci, garojnë për 148 deri në 160 ulëse në Kuvendin e Kroacisë. Fakti se Kroacia nuk e ka një numër të paracaktuar fiks të deputetëve, e bënë sistemin kroat të veçantë dhe të dallueshëm. Aktualisht, kuvendi kroat ka 151 deputetë. Deputetët kroat zgjedhën përmes 12 zonave zgjedhore. Dhjetë prej këtyre zonave janë zona gjeografike (distrikte) që dërgojnë në Kuvend nga 14 deputetë (140 gjithsejtë) përmes një sistemi proporcional me lista të mbyllura, me prag zgjedhor prej 5% dhe formulë kalkulimi D’hondt.

Zona 11 e sistemit zgjedhor kroat është zona jo-gjeografike e dedikuar për diasporën kroate dhe ajo prodhon deri në 12 mandate parlamentare. Numri i saktë i deputetëve që shkojnë në Kuvend nga zona e diasporës varet nga numri i votuesve të diasporës që votojnë në ditën e zgjedhjeve, gjë që e shpjegon edhe arsyen pse Kuvendi i Kroacisë mund t’i ketë prej 148 deri në 160 deputetë.

Sllovenia- Sistemi zgjedhor i Sllovenisë është i ndarë në tetë zona ku zhvillohen gara të ndara mes partive sipas sistemit proporcional dhe me lista të hapura, ku qytetarët mund të votojnë për vetëm një kandidat. Parlamenti slloven ka 90 deputetë, ku secila zonë dërgon nga 11 deputetë në Parlamentin e Sllovenisë (88 deputetë), kurse dy ulëse të tjera janë të rezervuara për pakicat (një për atë italiane, një për atë hungareze).

Në çdo zonë, partitë politike garuese duhet të kalojnë pragun zgjedhor prej 4% për të fituar mandate. Përkthimi i përqindjeve të fituara në mandate parlamentare përdoret duke përdorur formulën “Droop quota”, ndërsa në parlament futen kandidatët që kanë numrin më të madh të votave brenda listës së partisë.

Maqedonia– Parlamenti maqedon ka gjithsej 123 deputetë, të cilët zgjedhen përmes garave proporcionale në gjashtë zona elektorale. Çdo zonë zgjedhore dërgon numër të njëjtë prej 20 deputetësh në parlament (120 deputetë), kurse tre deputetë zgjedhën nga diaspora. Listat e partive janë të mbyllura, ndërsa nuk aplikohet ndonjë prag zgjedhor. Përkthimi i votave në mandate zgjedhore bëhet përmes formulës D’hondt.

Reformimi i sistemit zgjedhor në Kosovë

Abraham Lincoln: “Vota është më e fortë se plumbi. Me plumb mund ta vrasësh armikun tuaj. Me votë mund të vrasësh të ardhmen e fëmijëve tuaj. ”

 Duke marrë si pikë reference këtë thënie të ish-presidentit amerikan Lincoln, në vazhdim po i paraqes disa rekomandime, të cilat konsideroj se janë të nevojshme që të zbatohen në sistemin tonë zgjedhor, në mënyrë që të evitohen disa pengesa dhe parregullësi të shfaqura në zgjedhjet e organizuara që nga paslufta.

Njëra prej çështjeve më fundamentale pas reformave kushtetuese në një shtet pa dyshim se janë reformat zgjedhore. Ato duhet të realizohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjithanshme përmes një procesi mjaft të gjatë kohor. Reformat zgjedhore janë edhe më komplekse, veçanërisht në shtetet të cilat janë në fazën e ndërtimit dhe konsolidimit të një demokracie përfaqësuese dhe shtetit të së drejtës.

Reformimi i sistemit zgjedhor mund të ofroj përmirësim të mëtutjeshëm të të drejtave individuale dhe grupore si dhe të përmirësoj llogaridhënien dhe legjitimitetin e përgjithshëm demokratik.

Organizimi i një tryeze për reformën zgjedhore do të ishte shumë e nevojshme, në të cilën do të ftoheshin ekspert të sistemeve zgjedhore, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të partive politike etj.

Duke analizuar dhe krahasuar sistemet zgjedhore të rajonit, po paraqes disa rekomandime që do të mund të ishin të aplikueshme në vendin tonë:

1. Pas konstituimit të organeve qendrore të Republikës së Kosovës, komisioni për reformën zgjedhore të riaktiviziohet dhe si i tillë të jetë gjithpërfshirës (përfaqësues të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspert të sistemeve zgjedhore etj.);

2. Ndryshimi i Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme- Ky ligj nuk rregullon në detaje procesin zgjedhor dhe mungojnë udhëzime për implementimin e tij. Po ashtu, edhe rregullat zgjedhore nuk janë të precizuara mirë dhe në disa raste krijojnë dykuptimësi. Ligji aktual ka shumë paqartësi, lë shumë dualizma, lë mundësi dhe interpretime të shumëfishta, prandaj edhe duhet të ndryshohet;

3. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zgjidhet me konkurs publik nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe jetë ekspert i njohur sistemeve zgjedhore;

4. Republika e Kosovës të ndahet në tetë (8) zona zgjedhore, prej tyre shtatë (7) zona të jenë gjeografike që përfaqësojnë rajonet e Kosovës, kurse një (1) zonë të jetë jo-gjeografike, e cila do t’i dedikohet diasporës (sistemi kroat). Nëse nuk krijohet një zonë për diasporën, atëherë le të ketë vende të rezervuara për diasporën (sistemi maqedon).Ndarja në zona gjeografike është e nevojshme, sepse ka komuna që nuk kanë fare përfaqësim. Ndarja në zona zgjedhore siguron përfaqësim rajonal në Kuvend dhe krijon një lidhje më të mirë midis votuesve dhe zyrtarëve të zgjedhur;

5. Pragu zgjedhor duhet të ndryshohet nga 5% në 3% për partitë politike dhe 1% për kandidatët e pavarur. Pragu ekzistues prej 5% i favorizon partitë e mëdha dhe eliminon mundësinë për pjesëmarrje në parlament të partive më të vogla, iniciativave qytetare apo edhe kandidatëve të pavarur.Sipas rezolutës 1547 të vitit 2007 (58) të Këshillit të Evropës, rekomandohet që demokracitë nuk duhet të kenë prag më të lartë se 3% në zgjedhjet parlamentare në mënyrë që të lejohet përfaqësimi i maksimumit të opinioneve;

6. Sistemi i listave të hapura-Kosova duhet të vazhdojë të ketë një sistem zgjedhor që praktikon listat e hapura. Listat e hapura ngritin llogaridhënien dhe përgjegjësinë e politikanëve. Sistemi proporcional zgjedhor me lista të hapura qytetarëve u jep mundësi që përveç votës që ia japin subjektit politik, të votojnë edhe për kandidatët individual nga lista e po atij subjekti. Me këtë qytetarët do të ndikojnë në mënyrë direkte në rradhitjen e kandidatëve në listën e propozuar nga partitë politike;

7. Komisionerët e vendvotimeve si përfaqësues politikë e kanë keqpërdorur pozitën e tyre në vendvotime duke manipuluar me vullnetin e votuesve. Derisa votimi preferencial kishte për qëllim t’u ofronte votuesve mundësinë për ta zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar, komisionerët e keqpërdorën këtë (“Top problemet zgjedhore-qasje praktike për të kthyer besimin në procesin zgjedhor”, Forum 2015, faqe 16).Partitë politike duhet të marrin përgjegjësi ligjore për sjelljen e komisionerëve të tyre në vendvotime. Ndryshimi në ligjin për zgjedhje duhet të parashikoj që në rastet kur një komisioner i një vendvotimi dënohet për manipulim të zgjedhjeve, edhe subjekti politik i atij komisioneri duhet të gjobitet.Niveli i profesionalizmit dhe edukimit të komisionerëve duhet të rritet. Ata duhet të punësohen në baza profesionale dhe trajnimi duhet të përmirësohet për të siguruar mbrojtje dhe zbatim të procedurave në mënyrë të përshtatshme të votimit;

8. Eliminimi i votave me kusht për të gjitha zgjedhjet- Kjo për shkak të potencialit se votat me kusht mund të manipulohen-Votimi me kusht është praktikë që kryesisht përdoret në vendet e dala prej luftës, me qëllim që votuesve të zhvendosur t’u mundësohet ushtrimi i të drejtës së votës. Një praktikë të tillë e ka ndjekur edhe Kosova që nga mbajtja e zgjedhjeve të para të lira. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (Neni 95) të gjithë votuesve që nuk mund të gjejnë emrin dhe mbiemrin në Listën e Votuesve, u mundëson të votojnë me kusht në vendvotim që lëshon fletëvotime me kusht në pajtim me rregullat e KQZ-së (“Sistemi zgjedhor dhe partiak në Kosovë. Perspektiva e zhvillimit të demokracisë brendapartiake”, KIPRED 2015, faqe 49);

9. Numërimi elektronik i votave-Numërimi i votave në Kosovë po merr shumë kohë. Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, certifikimi i rezultateve u vonua pothuajse 1 muaj. Kjo dukuri përveç  se po e zvarrit formimin e institucioneve, po ngjallë edhe dyshime për keqpërdorim të votave.Numërimi elektronik i votave është një alternativë e mirë për të mundësuar numërim të drejtë të votave, për të shmangur manipulime dhe për të përshpejtuar certifikimin e rezultateve.