S’ka vota për Rregulloren që i sanksionon mungesat e deputetëve

Është legjislatura e gjashtë e Kuvendit, por deputetët vazhdojnë të punojnë me një rregullore që nuk ka ndryshuar prej tri legjislaturash, ani pse secila prej tyre duhet ta miratojë një rregullore të re të punës.

Ky dokument i rëndësishëm për punën e deputetëve, nuk arriti të dilte në votim as të enjten që shkoi, megjithëse ishte si pikë e rendit të ditës. Kjo meqë nuk ishin 80 deputetë, aq sa duhej për t’u votuar ajo, raporton KTV.

E, pikërisht mospajtimi i madh i deputetëve ndër vite ka qenë kur ishte propozuar që me praninë e deputetëve në sallë të vendoseshin edhe mëditjet.

Asnjëherë nuk u arrit pajtueshmëri në atë që një deputet që qëndron më pak se pesëdhjetë përqind të kohës në sallë të mos marrë mëditjen për atë seancë.

Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje do ta votojë këtë rregullore vetëm nëse marrin mbështetje amendamentet e propozuara nga ta.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se mbetet e habitshme për të që një dokument kaq me rëndësi nuk po arrin të votohet.

Ajo tha se për mosmiratimin e kësaj rregulloreje janë kritikuar edhe në raportin e Komisionit Evropian.

Për një muaj, aktualisht, një deputet i Kuvendit pagën bazë e ka 1,488 euro.

Përpos kësaj, nëse për një muaj mbajnë dy seanca, marrin 240 euro mëditje, ndërsa nëse mbajnë dy mbledhje komisioni marrin edhe nga 160 euro.